Kongresi i PS, “për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”

18/03/2016 00:00

Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit për kongresin e Partisë Socialiste, me organizatorët që kanë vendosur që koreaografia dhe të gjitha përgatitjet të jenë surprizë.

Banderola në hyrje të godinës, e cila do t’u urojë mirëseardhjen delegatëve, është mbuluar me të bardha, por Top Channel ka mësuar se në të shkruhet motoja e këtij kongresi, “PS, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

Do të jenë 1.460 delegatë, shumica e të cilëve do të marrin pjesë për herë të parë në një kongres, ku do të dëgjojnë debatet e socialistëve të rinj e të vjetër, që do të karakterizojnë punimet e këtij eventi.

Top Channel ka publikuar axhendën e kongresit dhe 2 janë pikat kryesore: fjala përshëndetëse e kryetarit Edi Rama dhe diskutimet për ndryshimet statutore që pritet të votohen.

Deputeti Ben Blushi pritet të mbajë një fjalim dhe po ashtu mbështetësit e tij, që do të kundërshtojnë propozimin e Ramës për mbajtjen e referendumi për ligjshmërinë e mandatit të tij në krye të PS.

Këtyre debateve i ka paraprirë mbështetësja e Blushit, deputetja e Shkodrës Mimoza Hafizi, me një editorial ku thotë:

“Referendumi është thirrje për votë mbi një problem, zgjedhjet në parti janë vota e kërkuar për një njeri. Po kërkojmë në krye të partisë një njeri dhe jo një problem. Rezultati i referendumit nuk do të ketë ndikim mbi të shkuarën”.

Ndërkohë, një burim nga PS ka sqaruar për Top Channel se kryeministri Rama ka shkruar një fjalim të gjatë që do të fokusohet në të ardhmen e PS dhe çfarë duhet të bëjë ajo për zgjedhjet e vitit 2017.

Gjatë pasdites së sotme, zoti Rama gjeti kohë të shtronte një pritje për delegatët e huaj të ardhur dhe aleatët, ku të pranishëm ishin edhe ish-presidenti Bamir Topi dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. 

Top Channel