
Duket se, më në fund, pas negociatave të realizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontradiktat lidhur me ecurinë e procesit të Reformës në Drejtësi tashmë kanë marrë një zgjidhje.
E ndërsa Partia Demokratike thoshte që negociatat do ishin politike dhe Partia Socialiste se do të ishin ekspertët, duket se ndërkombëtarët gjetën një kompromis duke ofruar ndërmjetësimin e ekspertëve të huaj për aplikimin e amendamenteve të çështjeve teknike të Komisionit të Venecias në këtë reformë. Ndërsa çështjet politike, për të cilat Venecia është shprehur se duhet t’i zgjidhë ligjvënësi shqiptar, do të jenë çështje që do të trajtohen nga palët politike.
Marrëveshja u njoftua pak minuta më parë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
VOA: Zyra e zonjës Nuland, në komentin e saj tha se, ka theksuar edhe nevojën që ju të jeni të gatshëm për kompromis, të gatshëm dhe të hapur për të bashkëpunuar me qeverinë, për të gjetur zgjidhjen për problemet më të rëndësishme të vendit.
Lulzim Basha: Nën presionin e aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot duket se mazhoranca ka reflektuar dhe, të paktën në letër, sot ka rënë dakord për të nisur dialogun politik pa kushte, por bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Në qoftë se marrëveshja e sotme respektohet, dhe për fat të keq nuk do të ishte çudi që do të shkelej njësoj si marrëveshja e 8 janarit, po ashtu e negociuar nga ambasadori Lu – por shpresoj që jo, – atëherë kjo do t’i hapë rrugë kompromisit, konsensusit politik për një hap shumë të rëndësishëm si Reforma në Drejtësi. Ky është një hap i rëndësishëm jo për politikën, jo për PD-në apo për PS-në, por për qytetarët shqiptarë. Ajo për çfarë ne këmbëngulim, konsensusi politik nuk ka të bëjë me faktin që PD të ketë më shumë kontroll, apo PS të ketë më pak kontroll te drejtësia. Ka të bëjë me faktin që një drejtësi e kontrolluar politikisht nuk do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë, nuk do të japë drejtësi, do të vazhdojë të mbetet e korruptuar. Prandaj lufta jonë nuk është për interesa politike, për interesat e PD-së apo të Lulzim Bashës, por për t’u dhënë shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, të pakapur politikisht, e cila iu shërben qytetarëve dhe jo politikës.
Ndër të tjera në intervistë, Lulzim Basha ka denoncuar edhe atë që ai vet e quan si zhbërje të standardeve demokratike. Për këtë arsye, Basha theksoi se opozita shqiptare do të jetë gjithnjë gardiane e rregullave të demokracisë.
Prej kohësh, madje që prej daljes në opozitë dhe ardhjes së të majtës shqiptare në pushtet, kreu i Partisë Demokratike ka denoncuar një sërë shkeljesh të standardeve demokratike, përfshi këtu votën, futjen e të inkriminuarve në Parlament dhe në institucione të tjera të Administratës Shtetërore.
Ndërkohë, jashtë vëmendjes nuk mund të mbetet as reforma në drejtësi, kryeçështja e këtij sesioni parlamentar, për votimin e së cilës nevojiten edhe votat e opozitës, në mënyrë që ajo të jetë sa më shumë konsensuale të jetë e mundur.
Për këtë, ai tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë baza, mbi të cilën opozita është gati të punojë me qeverinë mbi reformën në drejtësi. Por, ai vendosi kusht të vetëm moskapjen e sistemit të drejtësisë nga politika.
Duke qenë pjesë e reformës në drejtësi, por një çështje që është debatuar shpeshherë edhe më vete, Byroja Kombëtare e Hetimit, ishte gjithashtu një nga temat e përmendura nga Basha, i cili tha se kurrsesi nuk mund të jetë nën varësinë e asnjë institucioni, përveçse Prokurorisë.
Edhe pse jemi një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Basha mendon që tani për alternativën “ndryshe” qeverisëse që opozita e sotme do t’u ofrojë shqiptarëve.
Top Channel