Pittella kundër Blushit, mesazh mbështetës për Ramën

17/03/2016 00:00

Në Kongresin e socialistëve do të marrë pjesë edhe lideri i së majtës europiane Gianni Pitella. Në një intervistë për Top Channel Pittella bëhet pjesë indirekte e debatit të brendshëm në Partinë Socialiste kur thotë se megjithëse u takon socialistëve shqiptarë që të vendosin, për punën që ka bërë, Edi Rama e meriton rikonfirmimin në krye të Partisë Socialiste.

TCH: Ju po shkoni në Shqipëri për kongresin e Partisë Socialiste, a jeni në dijeni të debateve të brendshme?

Ganni Pittella, President i S&D në PE: Sinqerisht jo. Mua më intereson më shumë situata në Shqipëri, ajo çfarë bën qeveria dhe se çfarë do të bëjë, përgjithësisht, kongresi i Partisë Socialiste. Por, nuk më intereson dhe nuk dua të interesohem për ndarësitë dhe nëse ka, ato janë çështje të brendshme të partisë.

TCH: Në përgjithësi, partitë e  familjes suaj socialiste në Europë,  a bëjnë zgjedhje për kryetarin e partisë, edhe kur ai fiton zgjedhjet e përgjithshme në vend?

Ganni Pittella: Po, sigurisht. Në shumë vende, roli i udhëheqësit të partisë përkon me atë të udhëheqjes së qeverisë. Matteo Renzi, për shembull në Itali, është në krye të këshillit të Ministrave, pra kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike. Njësoj ndodh në disa vende të Europës. Unë nuk shoh ndonjë parregullësi, përkundrazi. 

TCH: Por, në këto parti socialiste europiane, jo vetëm në Itali,  a qëndron kryetari përtej mandatit, pa bërë zgjedhje partiake, edhe kur i ka përfunduar afati?

Ganni Pittella: Këtë e vendosin ekskluzivisht anëtarët e partisë socialiste në Shqipëri. Nuk e vendos as Xhani Pitela e as të tjerët. Ky është një vullnet i lirë dhe i pavarur, që u atribuohet atyre, që mbajnë teserën e Partisë  Socialiste Shqipëtare. Unë mendoj se për çfarë ka bërë Edi Rama, si lider i partisë socialiste, si lider  vendi, kryeministër i Shqipërisë, meriton që të konfirmohet udhëheqës partie.

Përgatiti Arta Tozaj 

Top Channel