Lindja, sërish kundër refugjatëve. Hungaria kryeson “rebelët”

17/03/2016 00:00

Edhe përpara samitit BE-Turqi, Kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdoi t’i mëshonte linjës së saj për një zgjidhje paneuropiane të krizës së refugjatëve. Por disa prej shteteve lindore të bllokut e refuzojnë paktin, e nuk duan të pranojnë asnjë emigrant.

Betejën kundër politikës së përbashkët të Bashkimit Europian ndaj refugjatëve vazhdon ta kryesojë shefi i ekzekutivit hungarez, Viktor Orban. Në një fjalim të mbajtur dy ditë më parë, me rastin e festës kombëtare të Hungarisë, Orban edhe njëherë e bëri të qartë se, nuk ka ndërmend ta pranojë rishpërndarjen e emigrantëve të mbërritur nga Turqia në Europë.

Qëndrimin e kryeministrit ndaj azilkërkuesve, e mbështesin sot gati 2/3-tat e hungarezëve. Orbani kërkon që pranimi ose jo i sistemit të kuotave nga vendi i tij të përcaktohet me referendum. Një këndvështrim të ngjashëm ndajnë dhe shtete të tjera lindore, veçanërisht Republika Çeke e Sllovakia.

Rumania dhe Bullgaria nuk e përkrahin qëndrimin e Orbanit, por situata e tyre është ndryshe. Rumania nuk është nje “El Dorado” për refugjatët, nuk i përket grupit të “Schengen”-it dhe standardin e jetesës e ka relativisht të ulët. Nuk është pjesë e rrugës ballkanike dhe as tërheqëse si vend potencial traziti.

Bullgaria, nga ana tjetër, edhe pse mund të përbëjë një rrugë kalimi, është shfaqur haptazi kundër emigrantëve, të cilëve ua ka bërë të qartë se nuk janë të mirëpritur. Polonia është e prerë, kur thotë se nuk do refugjatë të tjerë.

Ekspertët mendojnë se, në këtë situatë, plani i risistemimit pak gjasa ka të funksionojë, ndërsa marrëveshja me Turqinë – sipas tyre, – nëse implementohet vërtet, do të arrijë ta qetësojë edhe pjesën tjetër të Europës.

Top Channel