Refugjatët, Papa Françesku bën thirrje për t’i ndihmuar

16/03/2016 00:00

Gjatë audiencës tradicionale të përgjithshme të ditës së mërkurë, Papa Françesku foli për mjerimin e popullit të Izraelit në mërgim. Një temë e zgjedhur rastësisht kjo, ai i bëri kështu thirrje shteteve që të pranojnë emigrantët.

“Mua, – tha ai, – më pëlqen kur shoh kombe dhe qeveri që hapin zemrat dhe dyert, por shoh shumë dyer të mbyllura”.

E duke kujtuar vuajtjet e Izraelit, Ati i Shenjtë bëri një paralelizëm, e duke dalë nga teksti që kishte përgatitur tha:

“Më shkon mendja te Shqipëria fqinje, që pas shumë vitesh persekutimi e shkatërrimi, ia doli mbanë të ngrihet përsëri në dinjitet e në fe. Kështu kishin vuajtur edhe izraelitët në internim”, tha Papa Françesku.

Nuk është hera e parë që në audienca të përgjithshme, Ati i Shenjtë përmend Shqipërinë, herë si shembull i bashkëjetesës paqësore mes feve, e herë si një vend me të cilin ka afërsi shpirtërore, sidomos pas vizitës së tij më 21 shtator të vitit 2014.

* Përmes një apeli emocionues, Papa Françesku u përpoq t’i tregonte botës se, emigrantët duhen ndihmuar në këtë moment kaq të vështirë për ta.

“Hapuani zemrat dhe dyert tuaja njerëzve, që presin në kufi në mes të shiut e të të ftohtit, e që ndihen sot si të braktisur nga Zoti”, ishte thirrja e Atit të Shenjtë për kombet e prekura nga kjo krizë.

Mbi 1.1 milionë azilkërkues vërshuan në Europë vitin e kaluar. Fluksi që nuk ka të ndalur i detyroi shtetet e korridorit ballkanik, të përshkuar nga emigrantët në rrugëtimin e tyre drejt vendeve të pasura të Europës Veriore, të mbyllnin kufijtë duke bllokuar kështu me mijëra vetë në Greqi.

“Sa nga vëllezërit tanë po përjetojnë këto ditë një mërgim dramatik? Sa po lënë pas vendlindjet e tyre? Në sytë e këtyre njerëzve, ende gjen rrënojat e shtëpive të tyre të shkatërruara”, tha Papa.

Françesku e ka kthyer mbrojtjen e emigrantëve në një nga prioritetet e Papatit të tij, e thirrje të ngjashme për pranimin e tyre ka bërë edhe vitin që shkoi.

“Në zemrat e tyre ka frikë dhe, fatkeqësisht, shpeshherë edhe dhimbje për humbjen e njerëzve të dashur. Emigrantët vuajnë sot në qiell të hapur, pa ushqim, pa një strehë ku të fusin kokën. Ata thjesht nuk ndihen të mirëpritur”, tha Françesku.

Dy famullitë e vogla brenda mureve të Vatikanit strehojnë secila nga një familje refugjatësh. Një prej familjeve në fjalë është nga Siria.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta