Partia Demokratike thotë se Venecia nuk ka rrëzuar kërkesat e saj në lidhje me reformën në drejtësi, madje i ka dhënë mbështetje në dy parime kryesore, që opozita thotë se i ka ngritur qysh prej fillimit.
Edi Paloka drejtoi mbledhjen e grupit parlamentar këtë të mërkurë në mungesë të Lulzim Bashës, i ndodhur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare. Në fjalën e mbajtur para mediave në përfundim të kësaj mbledhjeje, Paloka foli për reformën në drejtësi.
“Nëse do të merrnim për të vërtetë këtë do të merrej si e vërtetë fakti që Komisioni i Venecias ka vendosur kapjen politike të institucioneve të drejtësisë shqiptare. Nuk ka asnjë gjë të tillë. Sigurisht, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandimet e tij finale që përputhen plotësisht me parimet kryesore që ne kemi dhe që Komisioni i Venecias i ka qëndruar që në fillim. Që janë parimet kryesore, jo pikat dhe detajet, sepse ato sigurisht i diskuton Komisioni i Reformës, por parimet kryesore tonat janë, moskapja, moslejimi i kapjes së drejtësisë dhe dialogu politik. Të dyja këto pika Komisioni i Venecias i ka theksuar që në fillim dhe nuk i ka ndryshuar asnjëherë qëndrimet e saj. Ne jemi plotësisht të njëjtë me Komisionin e Venecias dhe do të vazhdojmë të ngulim këmbë që të fillojë sa më shpejt dialogu politik për ti dhënë rrugë edhe Reformës në Drejtësi. Po presim reagimin e palës tjetër e cila duket që nuk e ka këtë qëndrim”, tha Paloka.
Paloka përsëriti qëndrimin e kushtëzuar të demokratëve karshi Parlamentit. Në axhendën e demokratëve në seancën e së enjtes janë primare kërkesat e tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të dy deputetëve të tjerë të maxhorancës, që opozita thotë se kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit duke përfituar fonde publike.
“Javën e kaluar patëm një votim për Koço Kokëdhimen, por nuk u votua kërkesa jonë për deputetin Rakip Suli, që do të votohet nesër dhe shpresojmë që qëndrimi i maxhorancës nëser të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kemi një kërkesë edhe për zonjën Leskaj për të njëjtën çështje, që pritet të diskutohet fillimisht nga Këshilli i Mandateve, por edhe amendamentet tona për ligjin e dekriminalizimit, që janë në pritje për diskutim në Komisionin e Ligjeve”, tha Paloka.
Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, Partia Demokratike thotë se është një çështje që duhet zgjidhur sa më parë sipas rekomandimeve të Venecias.
Top Channel