Blushi shkruan libër, “Letër…” socialistëve para kongresit

16/03/2016 19:45

Pakënaqësitë me qeverisjen dhe demokracinë e brendshme në PS, të artikuluara publikisht gjatë vitit të fundit, kundërshtari i Edi Ramës, deputeti rebel Ben Blushi, i ka përmbledhur në një libër politik, me titull “Letër një Socialisti”.

Rilindjen, të cilën Blushi e mbështeti dhe fitoi mandatin e deputetit në Elbasan, tani e sheh si “Hasanizimi i Shqipërisë”, duke e ilustruar me ish-kandidatin e LSI-së për kryetar të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilin.

“Hasanizëm do të thotë harrim, amnezi dhe vazhdim. Dhe Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja. Të jesh me Rilindjen do të thotë të jesh Hasan”, thotë Blushi.

Ben Blushi shkruan se në 22 muajt e fundit, rilindasit nuk janë shtuar, por janë ndarë tipologjikisht në dy degë: Krenaristët dhe Kanabistët, me anë të të cilëve ai anatemon Erion Braçen dhe Koço Kokëdhimën.

Në libër ai e përmend kryeministrin Rama vetëm në kapitullin “Kërpudhat e Rilindjes”, ku analizon shkaqet e mbërritjes të njerëzve problematikë në PS.

“Deri këtu na çoi nevoja për pushtet, me çdo cmim, pa asnjë plan dhe asnjë qëllim. Ka ardhur dita që dikush të kërkojë ndjesë në këtë Kuvend. Ai që duhet të kërkojë ndjesë është vetëm njëri, Edi Rama”, vijon Blushi.

Platformë në libër, Blushi ofron “Paketën e Dinjitetit”

Ben Blushi krahas kritikave jep edhe 10 zgjidhje për një mirëqeverisje, të renditura nën titullin “Shqipëria Bëhet”.

Sipas tij, “Paketa e Dinjitetit” do të nënkuptonte së pari pagesën nga shteti të minimumit të domosdoshëm të energjisë elektrike për ata që jetojnë me ndihmë ekonomike, përafërsisht 100.000 familje që jetojnë me më pak se 40 dollarë në muaj.

Gjithashtu, libra falas për fëmijët, ofrimin e kalorive të nevojshme, vaksimin falas dhe dyfishim të menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të varfërit. Rritja e pagës minimale në 50% është një tjetër propozim i Blushit, sikurse zbutja e taksimit progresiv për shtresën e mesme.

Këtë libër, që kushton 300 lekë, Ben Blushi pritet t’ia shpërndajë si dhuratë delegatëve të Kongresit më 19 mars. Zakonisht dhuratat nuk kthehen, por kjo e Blushit do të shihet nëse quhet shkelje apo jo, e statusit të partisë.

Top Channel