Bie fluksi i refugjatëve, pengesë patrullimi i detit nga NATO

16/03/2016 00:00

Gjatë 24 orëve të fundit, në ishullin e Mitilinit kanë mbërritur vetëm pak barka me refugjatë. Autoritetet thonë se, nëse NATO do të vazhdojë patrullimet, duke penguar fluksin e emigrantëve të mbërrijnë, ato do të vazhdojnë me boshatisjen e ishullit prej më tepër se 5000 emigrantëve që ndodhen aktualisht në Mitilini.

Fillimisht emigrantët do të dërgohen në Portin e Pireu dhe do të shpërndahen në vazhdim në qendrat e pritjes në Greqinë kontinentale.

“Nuk vijnë shumë emigrantë. Prej disa ditësh ka filluar pakësimi i fluksit, madje këto ditë ka rënë ndjeshëm. Më parë kishim 2.000 emigrantë në ditë dhe ia dolëm mbanë pa asnjë problem. Tani nuk ka më, është kufizuar lëvizja në dy-tri varka në ditë. Këtij problemi duhet t’i jepet një zgjidhje. Nëse nuk i jepet është në dëm të të gjithë Europës. Kriza nuk përballohet vetëm nga Greqia dhe as nga gjysma e Europës, por nga e gjithë ajo në mënyrë të koordinuar. Nuk duhen vënë mure për emigrantët, të tilla duhet të vëmë për racistët dhe ksenofobët që nuk duan zgjidhje të problemit. Ne këtu i presim të gjithë dhe nuk i ndajme në myslimanë dhe të krishterë. Ne këtë e bëjmë çdo ditë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Kur ata zbresin, puthin tokën dhe na falenderojnë”, tha Jorgo Saroglu, kryetar i fshatit Skala Sykamias, Mytilini.

Top Channel