Zyrtari amerikan: Sherret politike, larg reformës në drejtësi

15/03/2016 18:50

Thomas Yazdgerdi, drejtori i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një intervistë për Zërin e Amerikës komentoi reformën në drejtësi në Shqipëri.

“Shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Të dyja palët janë pranë dhe e kanë të qartë se kjo reformë nuk u duhet lënë sherreve politike dhe përpjekjeve që njëra parti të fitojë pikë ndaj tjetrës. Qytetarët shqiptarë duan një sistem drejtësie të pakorruptuar. Ne jemi të përfshirë intensivisht së bashku me partnerët europianë që figura e gjykatësit të kontrollohet dhe të verifikohet, të jetë i kualifikuar dhe që njerëzit të kenë besim te sisitemi i drejtësisë. Kjo do të ketë ndikim në shoqërinë shqiptare dhe tek investitorët e huaj”, tha Yazdgerdi.

Në lidhje me listën e opozitës me vërejtje dhe kundërshtime, ai tha se shpreson që “udhëheqjet e dy partive të kuptojnë sesa e rëndësishme është reforma për të ardhmen e Shqipërisë. Shpresojmë që të lënë mënjanë përplasjet politike dhe të bëjnë atë që duhet. Në politikë, për të patur sukses, duhet të bësh kompromise. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë me ekspertizë, por në fund janë të dyja palët që duhet të arrijnë kompromis”.

Zyrtari i DASH-it tha se ideja e krijimit të Byrosë së Hetimit sipas modelit të FBI-së është e mirëpritur, duke bërë gjithashtu të ditur se vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investuar si bashkëautore të ligjeve.

“Është e rëndësishme që qeveria të arrijë të miratojë, me sa më shumë mbështetje që mundet, ligjet përkatëse për këtë byro. Ne e dimë se qeveria është e interesuar për të patur një Byro Kombëtare Hetimi, pak a shumë si FBI-ja amerikane. Ne mendojmë se kjo është një ide e mirë dhe e mbështesim atë. Ajo do të merrej me ndjekjet penale të nivelit të lartë, me korrupsionin në nivele të larta. Kjo është e rëndësishme. Kjo është e lidhur me reformën në drejtësi, pasi një byro e fortë hetimore kërkon edhe një sistem të fortë drejtësie, që do të merrej me akuzat që do të ngriheshin. Ne shpresojmë që qeveria të miratojë ligjet përkatëse për këtë strukturë”, tha Thomas Yazdgerdi.

Zyrtari i lartë amerikan nuk përjashtoi edhe mundësinë e mohimit të vizave për politikanët që akuzohen për korrupsion, ashtu sikurse ka ndodhur me disa gjykatës në Shqipëri: “Në rastin e gjyqtarëve, atyre u janë mohuar vizat dha baza e këtij mohimi ka qënë korrupsioni. Në Shtetet e Bashkuara një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri.  Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar”.

Top Channel