Refugjati sirian raporton për Top Channel nga Konica

15/03/2016 20:10

Mahmudi, një refugjat sirian që ndodhet në kampin e Konicës, në qytetin e vogël në veri të Greqisë, raportoi pasditen e së martës në një video të dërguar në Top Channel se banorët e Konicës kanë bërë një protestë në mbështetje të tyre.

“Përshëndetje, ju flet Mahmudi për Top Channel Albania. Sot kanë ardhur shumë banorë të qytetit për të na mbështetur dhe kanë ofruar të na ndihmojnë me çdo gjë që kemi nevojë. Pasi mbaruam darkën, presim që të bëjmë një takim të gjithë bashkë. Kaq për momentin”, tha Mahmudi.

Refugjatët sirianë janë shprehur për Top Channel se pas asaj që ka ndodhur në kufirin greko-maqedonas, shpresat e tyre për të vijuar rrugën kalojnë vetëm nga Shqipëria.

“Disa prej nesh donin të ikin në Maqedoni pasi qarkullonin zëra se është hapur kufiri, por më pas mësuam për atë që kishte ndodhur si dhe për kushtet në të cilat bashkatdhetarët tanë janë atje. Kemi frikë të ndërmarrim atë udhëtim pasi nuk kemi asnjë shpresë. Siç e kemi thënë dhe më parë, ne do të presim deri në datë 18 mars, kur të mblidhet samiti, e nëse sërish nuk vendoset asgjë lidhur me fatin tonë, ne do udhëtojmë në këmbë drejt kufirit shqiptar, ku shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë që të mos kemi më vuajtje e të kalojmë në Europë”, u shpreh në një bisedë telefonike Mahmud, një nga refugjatët sirianë të ndodhur në Konicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA