Në Florida është “Rubio’s Day”, por mungon mbështetja e familjes Bush

15/03/2016 00:00

Në Florida, përkrahësit e Marco Rubios e kanë pritur më kot mbështetjen e familjes Bush, nga e cila nuk erdhi kurrë asnjë telefonatë apo qoftë dhe një mesazh i vetëm inkurajimi.

Në vend të kësaj, George W. Bush përqafoi një tjetër kandidate me gjasë të fitojë në këtë shtet, edhe pse në kampin kundërshtar: Hillary Clintonin, mundësitë e së cilës për të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë sa vijnë e shtohen.

Mirëbesimi dhe familjariteti i përcjellë në foton e shpërndarë nga një gazetar i CNN-it, vlejnë më shumë sesa arsyetimet politike, thotë “Corriere della Sera”. Fotoja është realizuar më 11 mars, në funeralin e Nancy Reaganit: një gjest afrimiteti mes George dhe Hillary, që ka ngjallur kritika nga rrethi i afërt i rivalit të Clintonit brenda kampit demokrat, Bernie Sanders.

Shumë do të varet në krahun republikan nga çfarë ndodh sot në parapraket e Floridës me 99 delegatë dhe Ohios me 66 të tillë. Duket sikur mes konservatorëve të “Great Old Party” ka një larje hesapesh: Donald Trumpi mund të shkrumbojë shpresat e Rubios, së konsideruar favorit i të vjetërve të partisë.

Përgjatë bregdetit në “Palm Beach” gjen tabela ku shruhet: kjo është toka e Marco Rubios. Por senatorin e Floridës, partia duket nuk po e mbështet deri në fund, komenton “Corriere della Sera”.

Dhe situata për të nuk premton aspak për mirë. Nëse nuk siguron Floridën, shteti ku fituesi i merr të gjitha, Rubio, i përshkruar dikur nga revista “Time” si “shpëtimtari i Partisë Republikane”, është praktikisht i mbaruar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta