E ke pyetur ndonjëherë veten se sa kohë ke që nuk merr një laps në dorë që të shkruash qoftë edhe një fjali të vetme drejtuar dikujt. Ç’na duhet themi, kemi celularin, mesazhet, shprehjet praktike “ckm”, “tdsh”, “klm”.

Por, sado teknologjia të dominojë artin e të shkruarit, letrat e famshme të dashurisë, dhimbjes apo mirënjohjes shkruar shekuj apo dekada më parë vazhdojnë të na tronditin. Ja çfarë i shkruante në vitet 1920 gjeniu Albert Ajnshtajn të bijës, Liserlës.

“Ekziston një forcë jashtëzakonisht e fuqishme, që deri më tani shkenca nuk ka arritur t’i gjej një shpjegim formal. Është një forcë që përfshin dhe rregullon gjithë të tjerat, madje është prapa çdo fenomeni që vepron në univers dhe ende nuk është identifikuar nga ne. Kjo forcë universale është dashuria. Dashuria shpalos dhe zbulon. Për dashuri në jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuria”, shkruante ai.

Ja çfarë i shkruante Papa Gjon Pali i II, Ana Tereza Timienickes, filizofes polake me origjinë amerikane me të cilën kreu i Kishës Katolike pati marrëdhënie dashurie prej 30 vjetësh.

“Unë ju përkas juve. Ju jeni dhurata e Zotit për mua. Në fillim kisha frikë, por e dija që në fillim që duhej ta pranoja këtë dhuratë nga parajsa”, shkruante Ati i Shenjtë.
 
Dy vite më vonë, në vitin 1978 pas pushimeve në një resort dimëror me gruan e martuar, Papa i drejtonte këto fjalë: “Mendoj që është më mirë t’i dërgosh letrat dorazi. Përmbajnë gjëra shumë të thella për sytë zhbirues”.

Franz Kafka i shkruante Milenës: “Një natë më parë ëndërrova për ju. Çfarë ndodhi me hollësi, mezi e kujtoj, por gjithçka di, është se po shkriheshim te njëri-tjetri. Unë isha ju, kurse ju ishit unë”.
 
Perandori i paepur i Francës, Napoleon Bonaparti, ja shprehte me këto fjalë dashurine të bukurës Jozefinë në vitin 1795.
 
“Me ç’mënyrë e ke mahnitur gjithë qenien time dhe ke bërë që ajo të përqendrohet e tëra te ju? Të jetoj për Jozefinën, kjo është historia e jetës sime. Sa kohë do të kalojë deri sa ju t’i lexoni këto fjalë, këtë shprehje të dobët të një shpirti rob, ku ju jeni mbretëreshë?”, shkruante Bonaparti.
 
Ndërsa Melisa, e preferuara e Sulltan Muratit e mbyll letrën e shkruar pas mesnate për princin shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu me keto rreshta: “Mos harro, dashuria e Sulltan Muratit për mua nuk do të më bëjë kurrë të harroj që dikur ju kam dashuruar …”.

Ish-kryeministri britanik, nobelisti Uinston Çërcill i drejtonte këto fjalë bashkëshortës. “Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje. Bashkëshorti yt i dashur.”, shkroi Çerçill.

Presidenti i 32-te i SHBA-ve, Teodor Rusvelt, i drejtohej kështu Eleonorës së tij në vitin 1943. “Ne nuk e menduam kurrë se 33-vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën e Dytë Boterore, me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë ‘në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë’”, shkroi Rusvelt.

Në letrën e fundit që Mitrush Kuteli i shkruante të shoqes thuhej: “E dashur Efterpi, këtë letër, që është ndofta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Më fal se të mërzit. Të kam helmuar jetën sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell. Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! S’kam qef të mërzit njeri. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë. Yti, Dhimitraq”, përfundonte letra.

Top Channel