Paqja amerikane, Basha-Selami, mundësia e tretë në Uashington

14/03/2016 00:00

Si ministër i Jashtëm, Lulzim Basha e ka vizituar Uashingtonin me misione të rëndësishme diplomatike, por vizita që ka nisur këtë të hënë në Shtetet e Bashkuara është më e rëndësishmja e tij në krye të opozitës.

Në axhenden e Lulzim Bashës spikasin 2 takime të niveleve të larta të administratës amerikane. Në Departamentin e Shtetit kreu i opozitës do të takohet me ndihmës/Sekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland, me të cilën ka mbajtur kontakte që kur ajo ishte ambasadore e Shteteve të Bashkuara në NATO. 

Takimi tjetër i rëndësishëm është në Shtëpinë e Bardhë, me një prej përfaqësuesve për Europën në Këshillin i Sigurisë Kombëtare.

Në njoftimin zyrtar, Partia Demokratike thotë se në qendër të axhendës së kreut të opozitës do të jetë “zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi”.

Por çfarë e bën interesante vizitën e Lulzim Bashës është edhe përzgjedhja e delegacionit që e shoqëron, ku bie në sy Eduard Selami. Top Channel ka mësuar se Basha dhe Selami i kanë dhënë njëri-tjetrit edhe një mundësi të re për të bashkëpunuar.

Marrëdhënia mes tyre ishte ftohur që kur Eduard Selami hyri në garën për Sekretarin e Përgjithshëm në nëntor të 2014-s. Megjithëse heshti publikisht për humbjen brenda partisë, kjo ishte koha që shënoi krizën e parë të besimit. 

Një vit  më vonë, Selami deklaroi për Zërin e Amerikës se Partia Demokratike i humbi zgjedhjet dhe se kryetari Basha nuk ngjallte besim dhe shpresë.

Kriza e dytë u përsërit në mes të shkurtit,  pak ditë përpara vizitës së Sekretarit John Kerry për çështjen e Byrosë së Hetimit. Eduard Selami, me nënshtetësi amerikane, nuk ishte pjesë e delegacionit dhe sapo kishte patur replika të forta në grup me Lulzim Bashen, të cilit i kishte thënë se i lë betejat përgjysmë ose ndryshon qëndrim gjatë rrugës.

Megjithatë, në fund të shkurtit ata janë takuar me kërkesë të kryetarit Basha dhe kanë biseduar gjatë në një drekë pune, gjatë të cilës edhe e ka ftuar Selamin të bëhet pjesë e delegacionit.

Kjo vizitë së bashku në Uashington, është e treta e vërteta dhe përcaktuese, nëse mes Bashës dhe Selamit do të ketë një bashkëpunim afatgjatë.

Top Channel