Paloka: Reforma, pas zgjedhjeve të reja. Por më parë të ikë Rama

14/03/2016 15:15

Teza e Pandeli Majkos për të shkuar në zgjedhje nëse Parlamenti dështon të miratojë reformën në drejtësi, për demokratët përkthehet si kërcënim i Edi Ramës kundër Ilir Metës.

“Është një luftë e brendshme midis tyre. Prej kohësh Rama kërcënon Metën dhe Meta Ramën. Pra, kemi një marrëdhënie të ndërsjellë kërcënimesh”, thotë kreu i grupit parlamentar Edi Paloka.

Numri dy i Partisë Demokratike është dakord me Pandeli Majkon për zgjedhjet e parakohshme, por për një motiv tjetër.

“Sa për zgjedhjet e parakohshme, sigurisht që ato janë të domosdoshme, por jo se i kërkon Majko, apo se kërcënon Rama, por sepse vendi ka shkuar në një pikë krize të pakthyeshme”, thotë Paloka.

Reforma, proces politik apo teknik? Për Edi Palokën ka edhe një skenar të tretë. TCH: Mes zgjedhjeve të parakohshme dhe reformës në drejtësi, kë do të zgjidhni?

Paloka: “Ka edhe një rrugë tjetër. Ka zgjedhje dhe pastaj reformë. Sepse përderisa kemi qartazi vullnet të munguar nga Edi Rama për të bërë edhe reformën në drejtësi, pse jo, këtë reformë mund ta bëjë Parlamenti i ardhshëm me një vullnet të plotë”.

Por për kreun e grupit parlamentar të opozitës, edhe për zgjedhjet ka një kusht të panegociueshëm, qeveri tjetër që t’i organizojë ato.

“Edi Rama duhet të largohet që shqiptarët të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe më pas të kenë një qeveri që realisht të punojë për interesat e tyre”, shton Paloka.

Top Channel