Rezultati i zgjedhjeve për parlamentet e landeve në Gjermani ishte një faturë për politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel. Exit poll-et e para flasin për një sukses të konsiderueshëm të partisë së djathtë anti-emigrantë, Alternativa për Gjermaninë, AfD.
CDU-ja e kancelares, ashtu siç profetizonin shumica, humbi në dy prej tre landeve ku u votua të djelën. Rezultatet papraprake tregojnë se kristian-demokratët arritën të ruajnë kryesimin në landin lindor të Saksoni-Anhaltit, ku morën 29% të votave, ndërsa AFD-ja doli e dyta me 23%.
SPD-ja, partnere koalicioni me CDU-në, rrëshqiti në rreth njëmbëdhjetë për qind. Por goditjen më të madhe, forca politike e Merkelit e mori në ish-bastionin e saj, landin pereëdimor të Baden-Wuerttembergut, ku përkrahja për këtë parti mbërriti në nivelin më të ulët historik, rreth 27%.
AFD-ja eci mirë edhe në Rajnland-Pfalcit, ku edhe pse SPD do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, partia e djathtë pati një rezultat mjaft pozitiv duke siguruar rreth 11 për qind të votave.
Suksesi i paprecedent i Alternativës populiste për Gjermaninë nuk mund të përkthehet ndryshe, veçse si dëshmi e qartë e pakënaqësisë që shumë gjermanë ushqejnë ndaj qëndrimit të Merkel pro-refugjatëve.
Një pjesë e votuesve konservatorë janë të zhgënjyer nga politikat e saj centriste, e për këtë arsye duket se u luhatën mes preferencës së vjetër dhe joshjes ndaj AfD-së.
Por a ishte ky një grusht dërrmues për lidershipin e Merkelit? Jo domosdoshmërisht, mendojnë ekspertët. Zgjedhjet e së djelës sollen mes të tjerash një fitore historike për të gjelbërit, që e mbështesin qëndrimin e kancelares ndaj refugjatëve.
Megjithatë, këto votime mund të shërbejnë si sinjal i qartë i polarizimit në rritje mes zgjedhësve që e përkrahin me pasion politikën e kancelares gjermane dhe atyre që linja e ndjekur prej Merkelit i zemëron.
Top Channel