Çmenduria e barazisë gjinore

14/03/2016 00:00

Nga Altin Stafa – Titulli i mësipërm nuk ka për qëllim të zhvatë pandershmërisht vëmendjen e lexuesit. Dhe këto rreshta nuk kanë asnjë lidhje me 8 Marsin.

Qëllimisht dërgohen për botim pas 8 Marsit, që t’i shpëtojnë ortekut të mimozave dhe rrëmujës së retorikës, si asaj origjinale të kultivuar, si asaj “copy-paste”.

Së shumti, do të më pëlqente që këto rreshta t’u ngjanin atyre shkrimeve të ndershme të cilat njeriu i lexon me kërshëri pa kërkuar të kuptojë cila është fjalia më pa kuptim e autorit, apo atyre rreshtave që tregojnë gjëra të vërteta, edhe pse të shkruara pa pretendime gazetareske (e fitoj ndryshe bukën dhe verën…).

Dëshira e femrave për barazi gjinore është çmenduri. Ato janë dhe kanë qenë gjithmonë superiore ndaj meshkujve.

Do të më pëlqente t’i kisha thënë unë i pari këto fjalë (narcisizmi intelektual nuk ka fund!…), por autori i tyre është një farë William Golding, me mjekrën e të cilit u ndesha pak ditë më parë, në një nga rrjetet sociale. Nga Wikipedia mësova që Sir William Gerald Golding është një shkrimtar britanik, “Nobel” për letërsinë më 1983, vdekur më 1993. I vetëdijshëm për humnerën intelektuale mes meje dhe tij, unë jam dakord me Golding.

Me sa më ndihmojnë njohuritë mjekësore të profesionit tim, me sa më lejojnë njohuritë e mia muzikore dhe brenda limiteve të natyrshme të gjinisë sime, unë guxoj të them që niveli i lartë i kompleksitetit të strukturës psiko-fiziologjike të femrës, në raport me thjeshtësinë primitive të strukturës psiko-fiziologjike mashkullore i ngjan raportit mes një simfonie të Beethoven-it dhe këngës më të bukur të Altin Shirës.

Dhe sa më shpejt ta kuptojnë këtë, shumica absolute e ne burrave, aq më shumë shanse kemi për të qenë të lumtur (d.m.th. të qetë, të rehatuar, të pastresuar, pa komplekse, jo-agresivë etj, etj. …).

Natyrisht, platforma sociale e referimit (qyteti, shteti, niveli social-ekonomik e kulturor) në të cilën mund të vlerësohet raporti femër-mashkull i jep këtij raporti shumë dimensione dhe nuanca relative, por për mendimin tim diferenca mbetet absolute.

Nuk e kam të vështirë të arsyetoj gjatë për të mbrojtur opinionin tim, por në këtë rast sinqerisht nuk ndiej nevojën e një arsyetimi të artikuluar. Më mjafton një seri arsyesh të renditura pa ndonjë kriter të veçantë logjik, të cilat nuk besoj se dikush mund të jetë në gjendje t’i kundërshtojë në mënyrë substanciale.

-Dinjiteti me të cilën një femër përballon dhimbjen, qoftë kjo fizike apo psikologjike, është emblematik. Këtë e di çdo mjek. Në këtë rast dinjiteti femëror del edhe më tepër në dukje, po të krahasohet me atë formë pak a shumë histrionike të të ankuari prej qaramani të burrave të sëmurë, i veshur më rënkime gjergj-elez-aliase apo me pohime skenike të tipit “as armikut më të madh nuk ia uroj këtë dhimbje të tmerrshme, o doktorrr!!”. E në këtë rast bëhet fjalë vetëm për një nerv shiatik të acaruar…

Dhe ju siguroj që rënkimet prej trimi nuk janë shprehje tipike vetëm të pacientit mashkull shqiptar. Megjithatë, pavarësisht nga kombësia, te koka e tyre ka gjithmonë një femër që me durim, mirëkuptim dhe dhembshuri u fërkon ballin si të ishin fëmijë. Një nënë, një nuse, një motër, një bijë …

Nuk di të them sa lidhje ka kjo me faktin që pritshmëria e jetëgjatësisë së burrave në Europë është mesatarisht 80 vjet, ndërsa e grave 85 (edhe Shqipëria ka afërsisht të njëjtat shifra), por edhe ky i fundit është një tjetër fakt i rezistencës fiziologjike të femrave.

-Forca e natyrshme femërore, durimi dhe dashuria me të cilën e jetojnë pritjen, përgatisin dhe sjellin në jetë fëmijët e tyre, është gjeneratori i vërtetë i racës njerëzore. Kemi akoma guxim ta krahasojmë atë me një spermatozoid të arratisur prej nesh në një moment epshi pak a shumë të gjatë?!

-Vetëdija sociale e mbarë njerëzimit është vetëdije me gjurmë të thellë femërore, sepse edukimi i çdo individi, në të gjitha format edukuese, që nga përrallat e gjysheve e deri te shumica absolute e edukimit shkollor të detyruar, përcillet zakonisht nëpërmjet mendjes, zemrës dhe fjalëve të një gruaje.

-Edhe në shoqëritë a ashtuquajtura të civilizuara (e pranoj relativizmin e këtij përkufizimi), femra përballon pothuajse gjithmonë një barrë dyfish më të rëndë në krahasim me mashkullin: atë profesionale/shoqërore/publike dhe atë familjare, kjo e fundit gjithmonë më e lartë se ajo e burrave edhe në rastet kur lehtësohet nga gjendja e mirë ekonomike. Për sa i përket barrës sociale të femrës, ajo shpesh rëndohet edhe më tepër nga përballja me të gjitha format e paragjykimit maskilist, që sipas rastit janë ose formë e shprehjes së injorancës totale të mashkullit ose shprehje e zilisë së tij profesionale të thellë. Dhe le të mos e cekim fare kapitullin e bezdisjes seksuale në vendet e punës, atë bezdisje që edhe kur nuk është e dhunshme, tenton gjithsesi t’i ia reduktojë dinjitetin profesional femrës, duke i kujtuar asaj se në çdo moment mund të jetë potencialisht një lodër seksuale në duart e mashkullit.

Në shekuj të tërë historie, me shumë pak përjashtime, njerëzimi ka trashëguar për inerci sistemin e padiskutuar mashkullor të organizimit social, sistem i justifikuar nga prioriteti i nevojës së forcës fizike, e domosdoshme kjo për mbijetesën kolektive në rast lufte. Kjo ishte pak a shumë e justifikueshme në periudhën historike të përfshirë mes Homo Sapiens dhe Skënderbeut, por pas shpikjes së barutit gjërat ndoqën tjetër logjikë.

Nga ky këndvështrim, i vetmi shembull i një vetë-ndërgjegjësimi të thellë, i cili mund të krahasohet me një revolucion antropologjik të vërtetë, ishte reagimi i Mujit dhe Halilit, të zhdukur ndër shpella dhe të padukur më mes të gjallëve kur kuptuan që forca e tyre fizike nuk kishte më vlerë. Ky, për mendimin tim, është shembulli më i lartë dhe më fisnik i inteligjencës që një burrë shqiptar (në këtë rast plot dy prej tyre!) ka shfaqur ndonjëherë në historinë shqiptare! Por duke pasur parasysh si rrodhën gjërat më pas, kam frikë se Muji dhe Halili nuk ishin shqiptarë…

Dyshoj se thellë-thellë, krijimi dhe mbajtja konstante e një gjendjeje tensioni social thuajse fizik, nuk është gjë tjetër veçse mënyra e vetme që kanë burrat për të justifikuar qëndrimin e tyre të përjetshëm në pushtet me çomange në dorë.

Natyrisht, shekuj të tërë maskilizmi nuk mund të mos linin gjurmët e veta të thella, sidomos në shoqëritë e atyre shteteve që nuk mund të mburren që kanë pasur të paktën një revolucion të vërtetë në historinë e tyre. Për mendimin tim, pasoja më e rëndë e maskilizmit të trashëguar brez pas brezi ishte përshtatja graduale e femrës me modelin që mashkulli i imponoi asaj me forcë: një shartim mes amvisës së mirë dhe robinës sexy, që me kalimin e kohës u dyzua materialisht në grua dhe dashnore.

Dhe ky përçudnim psikologjik dhe social i femrës në Shqipëri ndodhi pavarësisht faktit që arketipat “Nënë” e “Motër” janë ende të mjaftueshëm për meshkujt që të derdhin gjak për një fjalë goje apo e thënë alla shqiptarçe, për nder.

Natyrisht, shqiptarët kanë një koncept krejt origjinal për nderin, sepse përndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që, jo rrallë, një burrë shqiptar nënën e vet e nderon si hyjni (të paktën me fjalë), ndërkohë që nënën e fëmijëve të vet e rreh si kafshë.

Po ashtu, vështirë të kuptohet koncepti i nderit të shqiptarit, kur mashkulli shqiptar i tërheq zvarrë femrat shqiptare nëpër trotuaret e botës për të shuar epshet e frustuara të meshkujve të botës.

Dhe kështu, mund të ndodhë, si një shembull i trishtuar i mekanizmit involutiv të psikologjisë femërore apo si një shprehje e mundshme e sindromit të Stokholmit, që një tip femre ta ndiejë veten mirë vetëm nëse ndodhet nën vështrimin konstant të një mashkulli që nuk ia ndan sytë kofshëve apo gjoksit të saj. Dhe ky i fundit, si Tarzani, hungërin dhe rreh me grushte gjoksin me lesh.

E ekzagjerova, e kuptoj. Nuk jemi të gjithë burrat kështu.

Por nën kravatat e kostumet tona, të gjithëve ne burrave na pëlqen të kujtojmë që kullat, obeliskët apo heronjtë me shpatën e ngritur përpjetë që mbushin sheshet e botës, nuk janë gjë tjetër, veçse firma jone tredimensionale apo projeksioni morfologjik i veglës sonë të vetme me të cilën kemi ndërtuar deri tani botën.

Dhe meqë kjo botë mashkullore nuk ka gjasa të jetë forma më e mirë e mundur e organizimit social, atëherë ndoshta duhet vërtet të ndjekim edhe ne shembullin fisnik të Mujit dhe Halilit. Natyrisht, jo të zhdukemi fare, mos më keqkuptoni. Nuk jam mazokist! (edhe amazonitë kishin nevojë për burrat…). Por ndoshta do të ishte e nevojshme të bënim një hap prapa në skenën sociale dhe t’u hapnim rrugë zonjave. E kam fjalën për ato femra, të cilave fjala “Zonjë” u takon jo vetëm për konventë galanterie, por që ju përshtatet mbi të gjitha si përkufizim ekzistencial.

Burra (jo Zotërinj!), lëshojuani skenën politike, shoqërore e publike atyre Zonjave të cilat nuk kanë nevojë të na tregojnë asgjë tjetër ne meshkujve përveç inteligjencës dhe aftësive të tyre, atyre Zonjave që nuk kanë nevojë të trashin zërin, vrenjtin fytyrën apo të vënë kollare për të qenë autoritare, atyre Zonjave, të cilat me buzëqeshjen e pushtetin të butë që buron nga superioriteti i natyrshëm dhe me mëshirën klasike femërore janë në gjendje të thonë: “Fali o Zot meshkujt, se nuk dinë çfarë bëjnë!”.

Dhe jam i sigurt se në Shqipëri këto femra nuk mungojnë.

Një shoqëri e drejtuar nga femrat ndoshta çdo njëzetetetë ditë do të përfshihej nga negociata të thella në të gjitha fushat e jetës, por së paku do të ishte me siguri më pak brutale nga ajo e sotmja.

Është e vërtetë, pushteti të egërson. E ndoshta në distancë kohore ai do të kishte të njëjtin efekt final edhe mbi to, por le ta bëjmë një herë provë. Nuk kemi më se ç’të humbasim. Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë…

Dhe në atë formë të mundshme organizimi social me bazë pushtetin femëror, me thjeshtësinë primitive që na karakterizon dhe me linearitetin tonë mashkullor, do të shërbenim në mënyrë perfekte si shtylla apo hunj të fuqishëm dhe rezistentë ku të rritej e bollshme Hardhia-Femër. Kjo nuk është thjesht një ide fantazie bukolike; është ajo çka realisht ndodh pas kuintave të ambienteve me ekuilibër social të konsoliduar…

Spermatokracia nuk mund të zgjasë përjetë!

Më vjen vërtet keq që gruaja ime nuk e kupton mirë shqipen e shkruar! Do të më pyesë ç’kam shkruar kësaj here në këto rreshta dhe unë do të mundohem t’ia përkthej. Por jam i bindur që disa koncepte primare mund të shprehen në mënyrë të qartë e të plotë vetëm në gjuhën e… nënës!

Për t’ia shpjeguar në mënyrë të përmbledhur do t’i them se rrënja më e thellë e lumturisë sime është ajo vetë dhe gjenialiteti i saj femëror.

Kështu, ndoshta do të më falë që ca ditë më parë mendova se nuk ishte e nevojshme t’i dhuroj një degë mimoze…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA