Ndodhej pranë brigjeve të Venezuelës, SHBA-të sekuestrojnë anije në ujërat ndërkombëtare
Aeroplanmbajtësja bërthamore amerikane “USS John C. Stennis” mbërriti në portin koreanojugor të Busanit, për t’iu bashkuar stërvitjes së përbashkët që SHBA-të dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë.
Plot 17 mijë e 200 forca ushtarake marrin pjesë në këtë stërvitje, që kosiderohet si më e madhja në historinë e ngjarjeve të tilla.
E ndërsa tensioni në gadishullin korean rritet gjithnjë e më shumë, pas provokimeve të vazhdueshme të Koresë së Veriut, duket se SHBA-të dhe Koreja e Jugut kanë vendosur që të tregojnë “dhëmbët” për t’i bërë të qartë regjimit komunist se, nuk do ta tolerojnë atë.
Trupa të shumta ushtarake amerikane dhe koreanojugore zbarkuan në brigjet e Koresë së Jugut për të treguar forcën dhe gatishmërinë e tyre në rast konflikti.
Koreja e Jugut gëzon mbështetjen e padiskutueshme të SHBA-ve në kontradiktën me Korenë e Veriut, por jo të gjithë koreanojugorët janë shprehur dakord me këtë stërvitje të përbashkët.
Në fakt, me qindra njerëz protestuan në Busan duke kërkuar fundin e manovrave, që sipas tyre thjesht sa përkeqësojnë situatën. Protestuesit thanë se, dy Koretë përbëjnë një komb dhe se, problemet e tyre duhet t’i zgjidhin pa ndërhyrje nga jashtë.
Ata kërkuan që të jetë paqja, dhe jo konfrontimi, qëllimi kryesor. Megjithatë, nuk dihet sa dakord është regjimi komunist me qëndrimet e fqinjëve jugorë që protestojnë.
Top Channel