PD: 18 mijë banorë të Mirditës, pa ujë të pishëm

13/03/2016 12:30

Partia Demokratike thotë se 18 mijë banorë të Mirditës nuk furnizohen me ujë të pishëm në çezmat e tyre. Sipas opozitës, shkak është bërë mospërmbyllja e projektit të Ujësjellësit të Bargjanës, i cili ishte premtuar nga qeveria që një muaj më parë. Për të parë nga afër gjendjen punimeve të lëna pezull në fshatin Prosek ishte deputetja Albina Deda, e cila tha se asnjë ndryshim nuk ka ndodhur që nga premtim-mashtrimi i ministrit Haxhinasto.

“Pritëm një muaj se do të ketë ujë në çezma, por asgjë nuk ka ndodhur edhe pse vetë kryeministri ka deklaruar se rrënjët i ka nga kjo zonë, Proseku”, u shpreh deputetja Deda, e cila tha se as tubacionet nuk shkojnë tek familjet, edhe pse kontratat janë lidhur që në fushatën e zgjedhjeve të kaluara lokale me vlerë të konsiderueshme.

Vetë banorët u shprehen se pusetat janë lënë të hapura dhe tubat e ujit janë jashtë funksionimit. Ndërkohë që drejtoria e Ujësjellësit ka lidhur kontratat me banorët, ata nuk marrin shërbimin që paguajnë. Mungesa e ujit u shkakton probleme të mëdha me bujqësinë dhe sjell shpenzime për jetesën e përditshme.

I nisur si projekt në qeverisjen e PD-së me vlerë rreth 3 milionë dollarë, ujësjellësi pret fazën përmbyllëse. Projekti ka parashikuar ndërtimin e dy burimeve, rehabilitimin e te gjitha depove si dhe ndërtimin e rrjetit shpërndares ne zonën rurale.

Top Channel