Gjermani, test i vështirë zgjedhor për Merkelin dhe “refugjatët”

13/03/2016 00:00

Gjermanët u janë drejtuar kutive të votimit në tri procese zgjedhore rajonale, të para gjerësisht si një testim i mbështetjes për Kancelaren Angela Merkel, kryesisht mbi politikën kundrejt refugjatëve.

Partia antiemigracion, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) pritet të sigurojë një mbështetje disi më të madhe, mbi të gjitha për shkak të politikës së ashtuquajtur “të dyerve të hapura” të ndjekur nga Merkeli.

Më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Gjermani vetëm gjatë vitit 2015. Gjithsesi, e pyetur gjatë së shtunës sesi kishin shkuar përgatitjet për zgjedhjet e ditës së sotme, Kancelarja Merkel u shpreh: Po kryqëzoj gishtat!

Sondazhet tregojnë se Unioni i saj Kristiandemokrat (CDU) pritet të mbetet partia më e madhe në rajonin lindor të vendit, Saxony-Anhalt. Ajo pritet të mposhtet përballë “Të gjelbërve” në rajonin perëndimor të Baden-Wuerttembergut, edhe pse aktualisht është partia e parë.

Ndërsa në Rhineland-Palatinate, ku CDU-ja ka qenë e dyta në zgjedhjet e fundit, gara është “në tehun e thikës”. Sondazhet deri më tani tregojnë se mbështetja e “AfD”-së shkon deri në 19% në Saxony-Anhalt, ku CDU-ja dhe Socialdemokratët qeverisin aktualisht në koalicion.

Nëse “AfD”-ja rezulton me po këtë mbështetje, siç tregojnë sondazhet, atëherë partnerët e koalicionit mund të duhet të hyjnë në negociata me një parti të tretë, për të formuar shumicën.

E përfaqësuar aktualisht në 5 prej Parlamenteve rajonale të Gjermanisë, “AfD”-ja ka bërë fushatë me slogane të tilla si “Siguroni kufijtë” dhe “Ndal kaosit të azilantëve”.

Megjithatë, zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel tha gjatë së shtunës se, rritja e “AfD”-së nuk do ta ndryshojë qëndrimin e qeverisë së tij ndaj emigracionit. “Ne i qëndrojmë besnikërisht vendimit tonë, që ka për bazë humanizmin dhe solidaritetin. Nuk do ta ndryshojmë pozicionin tonë tani”.

Megjithatë, në Berlin rreth 2.000 demonstrues të së djathtës, me flamuj nëpër duar bërtisnin slogane si “Merkeli duhet të largohet!” dhe “Ne jemi njerëz!”.

Në rast të ndonjë rezultati jopozitiv, ndaj Merkelit do të shtohet edhe më tej presioni, pikërisht tani që ajo po përpiqet të çojë përpara një marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë për të reduktuar numrin e emigrantëve dhe refugjatëve që hyjnë me synimin vendet e Europës Perëndimore apo asaj Veriore.

Gjithsesi, duke qenë ekonomia më e fuqishme e Europës, Gjermania ka një rol udhëheqësi në politikbërjen e Bashkimit Europian.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta