Plani amerikan kundër atij evropian, dy vizione të kundërta për paqen në Ukrainë Qeveria siriane do të dërgojë një delegacion në bisedimet për paqen, që duhet të nisin në Gjenevë të hënën, por vendosi kufizime në axhendën e saj.
Ministri i jashtëm sirian Walid Muallem, duke folur nga Damasku hodhi poshtë çdo ide për zgjedhje presidenciale. Në këtë kuadër, një zëdhënës i opozitës siriane tha se, kushtet paraprake të qeverisë mund t’i ndalin bisedimet ende pa nisur mirë.
Dhuna në Siri është pakësuar ndjeshëm që prej armëpushimit të negociuar nga fuqitë e mëdha, por sidoqoftë problemet nuk janë zgjidhur ende dhe, nëse bisedimet dështojnë, luftimet mund të rinisin.
Opozita siriane tha se do të kërkojë në bisedime krijimin e një qeverie të përkohshme, me fuqi të plota ekzekutive, në të cilën Presidenti Bashar al-Assad dhe udhëhësia aktuale nuk do të kenë asnjë rol. Fati i Assad ka qenë një nga pengesat kryesore në bisedimet e mëparshme për paqen.
Më herët, i dërguar i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura tha se, dëshiron që në Siri të zhvillohen zgjedhje presidenciale brenda 18 muajsh, por ministri i Jashtëm sirian e hodhi poshtë këtë ide.
“Askush nuk ka të drejtë që të flasë për zgjedhje presidenciale në Siri. Kjo është e drejtë ekskluzive e popullit sirian”, deklaroi Muallem. Ai tha gjithashtu se, kërkesat e opozitës për një qeveri të përkohshme me fuqi ekzekutive janë “vijë e kuqe” e udhëheqësisë aktuale dhe, nëse opozita do ta kërkojë vërtet këtë në bisedime, është më mirë që të mos shkojë fare atje.
Por, opozita reagoi duke thënë se qeveria po u jep fund bisedimeve pa nisur mirë dhe kjo tregon qartë se, ajo nuk është aspak e angazhuar dhe nuk ka vullnet për paqe.
Analistët thonë se, palët ndërluftuese në Siri janë nën presion të madh nga mbështetësit e tyre, që të marrin pjesë në bisedimet e Gjenevës, ndaj dhe askush nuk dëshiron të fajësohet për prishjen e tyre. Për këtë arsye pritet pjesëmarrja e tyre në bisedime, por kjo nuk është një garanci.
Top Channel