Një varkë e rojës bregdetare turke është përpjekur të fundosë një varkë të mbushur me emigrantë, në përpjekje për të arritur Greqinë përmes detit Egje.
Kështu tregon një video që ka mbërritur në redaksinë e BBC. Ngjarja thuhet se ka ndodhur në ujëra territoriale turke, teksa emigrantët përpiqeshin të arrinin ishullin e Lesbos.
Emigrantët akuzojnë rojën bregdetare se i ka sulmuar, por kjo e fundit deklaron se nuk po përpiqej ta dëmtonte varkën por ta ndalonte atë pa lënduar njerëzit në bord.
Bashkimi Evropian the Turqia po diskutojnë për lëvizje të reja për të frenuar fluksin e refugjatëve, që për kontinentin e vjetër është kthyer në krizën më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Vitin e kaluar mbi 1 milion persona hynë në BE ilegalisht, duke udhëtuar me varka nga Turqia drejt Greqisë. Mbi 132 emigrantë kanë mbërritur ndërkohë në Greqi që nga fillimi i vitit, një numër shumë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Incidenti, i regjistruar me kamera, mendohet të ketë ndodhur në ujërat turke në orët e para të së shtunës. Videoja prej 30 sekondash tregon njerëz të veshur me jelekun e shpëtimit në një gomone që goditen me shtiza nga njerëzit që ndodhen në varkën tjetër.
Refugjatët dëgjohen të bërtasin në gjuhën arabe. Pavarësisht përpjekjeve për t’i ndalur, varka e tyre ka arritur të shpëtojë dhe të arrijë ishullin e Lesbos.
Top Channel