Tahiri për Nishanin: Gjykatat po lirojnë armëmbajtësit

12/03/2016 15:50

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një letër dërguar Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, denoncon një rast flagrant, sipas Tahirit, kur një gjyqtar në Vlorë ka liruar një person të arrestuar në kushtet e flagrancës me një pistoletë që e mbante pa leje.

Në letrën e tij, Tahiri nënvizon se vendime të tilla kaq shqetësuese për shoqërinë rrezikojnë të dekurajojnë punën e policisë në luftën kundër krimit.

Në letër, Tahiri ka denoncuar me emër dhe mbiemër si gjqtarin ashtu edhe personin, që sipas Tahirit është favorizuar në kundërshtim me ligjin. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës së Vlorës, Laurent Fucia, i cili ka vendosur masën e sigurise detyrim paraqitjeje për Vasil Papën, i cili ishte arrestuar në kushtet e flagrancës me armë pa leje në trup në një lokal në qytetin bregdetar.

Ministri Tahiri i kërkon presidentit Nishani dhe ministrit të Drejtësisë Manjani që të verifikojnë rastin dhe të marrin masat e duhura, pasi shoqëria po ndjehet e rrezikuar nga gjyqtarë të tillë që marrin haptazi vendime në favor të shkelësve të ligjit.

Top Channel