Meta: LSI-ja do e votojë reformën për të cilën është shprehur KV-ja

12/03/2016 13:20

Një ditë pasi Komisioni i Venecias miratoi draftin përfundimtar të reformës në drejtësi, duke e lënë topin në fushën e politikës shqiptare, Ilir Meta deklaroi se tashmë është koha që “të bëjmë një lexim objektiv dhe të paanshëm të opinioneve të Komisionit të Venecias”.

“Në rastet kur do të ketë lexime të ndryshme të kërkojmë edhe ndihmën e  EURALIUS-it si mision i paanshëm për interpretimin final dhe objektiv të çdo çështjeje. Qëndrimi zyrtar i LSI-së për këtë reformë është që do të votojë me të 20 votat e saj atë reformë për të cilën është shprehur Komisioni i Venecias dhe në atë mënyrë që është shprehur Komisioni i Venecias.

Kur u pyet nëse LSI-ja do i bashkohet planit B të Ramës për miratimin e reformës pa Partinë Demokratike, Meta u përgjigj: “LSI-ja ka vetëm në plan që të votojë reformën në drejtësi. LSI-ja e ka thënë e para se standardi është vetëm Komisioni i Venecias. Ajo e ka gjykuar me thellësi draftin e reformës, pra ka qenë e ndërgjegjshme për një klimë politike jo shumë bashkëpunuese, kështu që nuk ka asnjë plan tjetër, përveçse të shprehet pro rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

Ilir Meta nxiti miratimin brenda këtij muaji të paketës së ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vizita e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn në Tiranë, në fund të marsit, të gjejë të votuar paketën ligjore.

Top Channel