Rubio vs Trump, përplasja për deklaratat e miliarderit për Islamin

11/03/2016 00:00

Në fushatën për nominimin presidencial është koha e përballjeve intensive dhe debati i fundit televiziv në Miami (Majemi) mes kandidatëve republikanë pati për kryefjalë një rigjallërim të Marco Rubios.

Senatori nga Florida fshikulloi subjektin e preferuar, kryesuesin e garës Donald Trump dhe deklaratat e këtij të fundit se, Islami e urren Amerikën. Rubio, që votimin e Floridës të martën e ka për “jetë a vdekje”, kujtoi se Islami ka një problem me radikalizimin, “por shumica e muslimanëve këtu – shtoi ai, – janë krenarë që janë amerikanë”.

“Presidentët nuk mund të nxjerrin nga goja çfarëdo lloj gjëje që u shkon në mendje. Duhet të mendojnë para se të flasin, sepse ka pasoja”, tha Marco Rubio.

Manjati iu qëndroi deklaratave të mëhershme, e vazhdoi t’i mëshonte idesë së vet se, Islami ka një urrejtje të tmerrshme ndaj Shteteve të Bashkuara. Trump foli kundër korrektesës politike, por Rubio u përgjigj fare thjeshtë: unë nuk jam i interesuar të jem politikisht korrekt. Unë jam i interesuar të jem korrekt.

Të 4 republikanët në debat duket i mbajtën vathë në vesh këshillat e udhëheqësve të partisë për një përballje sa më qytetare. Ndryshe nga shfaqja e fundit televizive, që u mbush me fyerje personale, ky i Miamit ishte mjaft më i qetë dhe i fokusuar te politika.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta