Obama-Cameron, “lidhje të ngushta”; rrëzohen zërat për ftohje të aleatëve

11/03/2016 17:20

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zërat për një ftohje mes Barack Obama dhe David Cameron, pas deklaratës së presidentit se, kryeministri kishte mbetur “i hutuar” pas ndërhyrjes së vitit 2011 në Libi.

Këtë deklaratë Obama e kishte bërë në një artikull për revistën “Atlantic”, ku pikërisht Libinë e cilësonte një “rrëmijë” të madhe.

Por në një email dërguar rrjtetit informativ britanik BBC, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë “thellësisht” kontributet e Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe Downing Street nga ana tjetër ka deklaruar se marrëdhëniet SHBA-Britani mbeten “të veçanta dhe jetike”.

Por në artikullin për “Atlantic”, Obama reflektonte mbi atë se “çfarë shkoi keq” në Libi pas rrëzimit të regjimit të Muammar Gaddafit, ku Britania dhe Franca luajtën rolin kryesor.

“Këtu ka vend për kritika, sepse unë kisha shumë besim tek europianët, se duke parë afërsinë e Libisë ata do të investonin më shumë pas asaj që ndodhi”, vlerësoi Obama.

Por, do të vijonte presidenti amerikan, “kryeministri Cameron u hutua nga një seri gjërash të tjera”.

“Ne evituam një numër të madh viktimash, parandaluam atë që mund të kishte qenë një konflikt civil i tejzgjatur dhe i përgjakshëm. Dhe pavarësisht gjithë këtyre, Libia është ende rrëmujë”, tha Obama.

Ai kritikoi vendimmarrjet individuale të vendeve të BE-së në një kohë kur thirrja e vendeve të Gjirit për veprime kundër Gaddafit ishin më të forta se kurrë.

Por, “huqi i vjetër i Evropës, njerëzit na kërkojnë të veprojmë por ne nuk vëmë kokën në rrezik” mbizotëroi, sipas presidentit Obama. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA