Edhe pse Shqipëria ka një bazë ligjore moderne për çështjen e menaxhimit të kufijve, kjo nuk do të thotë se vendi ynë është i gatshëm të presë dhe trajtojë dyndje të mëdha refugjatësh. Kështu është shprehur zv. Ministri i Brendshëm Ilir Marko, gjatë takimit të 6-të për PAMECA 4.
“PAMECA 4 ka ofruar një ndihmë të pakursyer për forcimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës për kontrollin e kufirit, duke dhënë ndihmesë për çeshtje sensitive si azili dhe emigracioni në përputhje me standardet SHENGEN. Falë kësaj asistence, Shqipëria ka aktualisht të miratuar një bazë ligjore dhe nënligjore moderne, si dhe një seri dokumentash dhe manualesh strategjikë për çështjet e menaxhimit të kufijve, trajtimit të të huajve, refugjatëve etj. Kjo nuk do të thotë që vendi ynë është i gatshëm për të pritur dhe trajtuar dyndje të mëdha refugjatësh, por në varësi të mundësive tona infrastrukturore Shqipëria mund të japë kontributin e saj, të kushtëzuar nga një koordinim i plotë me vendet partnere perëndimore dhe vendimarrjet politike të institucioneve të Bashkimit Evropian”, është shprehur Marko.
Bashkëpunimi me PAMECA është afatgjatë, dhe zv. Ministri i Brendshëm vlerëosi kontributin e madh në përmirësimin e policisë së Shtetit, policimit në komunitet dhe një sërë arritjesh të tjera.
Top Channel