Ligji për përgjimet: Prokuroria, Policia dhe SHISH të hyjnë direkt në server

11/03/2016 19:40

Prokuroria, Policia e Shtetit dhe SHISH do të kenë akses direkt në bazën e të dhënave të kompanive që ofrojnë shërbime komunikimi, kompanitë e telefonisë apo internetit.

Ministria e Brendshme ka gati një projekt që i detyron këto kompani, publike apo private, që brenda 24 orëve, ose 5 ditëve në raste specifike, t’i japin të dhënat e kilentëve të tyre prokurorisë, policisë apo SHISH.

Top Channel siguroi draftin që pritet të kalojë në qeveri së shpejti. Sipas hartuesve, qëllimi është për të evituar praktikën negative të deritanishme kur përgjigjia për të dhëna që lidheshin me çështje hetimore vonohej deri në 6 muaj.

Në jo pak raste kjo vonesë ka sjellë edhe dështimin e hetimit të ngjarjeve të ndryshme, për shkak të tejkalimit të afateve të hetimit.

Për 24 orë jepen të dhënat që lidhen me identifikimin e pajtimtarit, kur dihet numri apo adresa e kompjuterit në rrjet, apo siç njihet ndryshe IP-ja; identifikimin e pajisjeve apo adresave të IP-së për një pajtimtar të dhënë; identifikimin e vendndodhjes së një pajisjeje fundore.

Ky afat bëhet 5-ditor kur kërkesa përmban të dhëna më specifike. Në ligjin e mëparshëm nuk lihej një afat i përcaktuar, por thuhej pa vonesa, por prokuroria priste edhe 6 muaj. Projektligji i ri parashikon se vonesa e pajustifikuar kur dëmton hetimin përbën vepër penale.

Ky projektligj shton dhe një nen tjetër i cili parashikon se, me qëllim ruajtjen e sigurisë publike dhe kombëtare, parandalimin e krimeve të rënda dhe akteve terroriste, sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve publike detyrohen të vënë në dispozicion menjëherë, në formë elektronike dhe nëpërmjet dhënies së aksesit të drejtpërdrejtë në skedarë apo pjesë të tyre, ose ngritjes së platformave elektronike të disa institucioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA