Rruga e re e refugjatëve? Ndoshta nga Ukraina dhe Polonia

10/03/2016 15:40

Me mbylljen e rrugës ballkanike janë disa alternativat që emigrantët mund të provojnë t’i eksplorojnë. Pjesa dërrmuese e 1.1 milionë të mbërriturve në Gjermani gjatë 2015-s kishte përshkuar itinerarin ballkanik.

Kur shtatorin e vitit që kaloi, Hungaria ngriti një barrierë telash me gjemba në kufirin e saj me Serbinë, fluksi i njerëzve iu drejtua Kroacisë.

Rruga më e mundshme për ta tani duket të jetë ajo nga Greqia në Shqipëri. Një pjesë ndoshta vazhdojnë udhëtimin drejt Malit të Zi, por të tjerë mund të përpiqen të kalojnë Adriatikun me qëllim zbarkimin në brigjet e Pulias.

Të pakta janë të dhënat që sugjerojnë se një skenar i tillë do të ndodhë vërtetë, thotë “Financial Times”, e deri tani këtë vit, asnjë emigrant nuk ka mbërritur në Itali nga Shqipëria.

Edhe nëse refugjatët do ta çonin deri në fund udhëtimin e tyre drejt Italisë, sërish do t’u duhej të lëviznin përmes Austrisë për të prekur tokën gjermane, e kjo do të jetë tepër e vështirë nëse Vjena mbyll kufijtë.

Ka edhe një tjetër rrezik për Italinë. Mbyllja e kufijve në Ballkan mund t’i shtyjë emigrantët t’i rikthehen itinerarit të vjetër, udhëtimit të rrezikshëm përmes Mesdheut. Nuk përjashtohet as alternativa Deti i Zi-Ukrainë-Poloni.

Zyrtarët në Varshavë janë vënë në alarm nga impakti që mund të ketë mbi vendin e tyre bllokimi i kalimit në rajonin e Ballkanit, pasi emigrantët mund të nisen nga Turqia, të kalojnë Detin e Zi e të çajnë rrugën e tyre përmes Ukrainës, për të vërshuar pas kësaj në Poloni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA