Korea e Veriut nuk heq dorë nga provokimet dhe pavarësisht tensioneve që kanë ngjallur veprimet e saj të deritanishme, i hodhi një tjetër dorashkë sfide fqinjëve me lëshimin e dy raketave balistike në det.
Sipas ushtrisë koreano-jugore, raketat lëshuara nga bregu lindor i vendit fluturuan për rreth 500 km e pastaj ranë në ujë.
Pak pas lëshimit, Peniani njoftoi anullimin e të gjitha projekteve të bashkëpunimit me Seulin dhe likuidimin e çdo aseti koreano-jugor në shtetin komunist.
Lëvizjet e fundit vijnë pak ditë pasi lideri Kim Jong un deklaroi se shkencëtarët e vendit të tij kanë zhvilluar koka bërthamore të vogla që mund të transportohen nga raketat balistike.
“Kokat bërthamore janë standardizuar për të qenë në përputhje me raketat balistike, duke i zvogëluar ato. Ky mund të quhet një sukses bërthamor”, tha Kim.
Megjithatë, deklarata është e pamundur të verifikohet nga pamjet dhe ekspertët prej kohësh hedhin dyshime mbi këto njoftime të regjimit të Penianit.
Top Channel