BQE, Draghi zeron interesat. Paketë masash për të nxitur ekonominë në deflacion

10/03/2016 14:15

Banka Qëndrore Europiane miratoi një tjetër paketë masash për të nxitur ekonominë e Eurozonës dhe luftuar rënien e çmimeve. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës uli më tej në territor negativ, normën që kjo bankë paguan për depozitat e bankave private, nga minus 0.3 në minus 0.4 për qind.

Kjo masë synon të dekurajojë bankat private të Eurozonës të depozitojnë fondet e tyre në Bankën Qëndrore Europiane, duke i shtyrë ato të kreditojnë biznesin dhe konsumatorët.

Por kjo nuk ishte lëvizja e vetme e Mario Draghit. Paralelisht, Këshilli uli normën bazë të rifinancimit nga 0.05 në 0 për qind dhe zgjeroi programin e injektimit të parave në ekonomi.

Këto masa synojnë të forcojnë më tej rimëkëmbjen ekonomike të Eurozonës. Normat e interesit do të mbeten të ulëta, shumë të ulëta, për një kohë të gjatë.

Me vendimin e fundit, Banka Qëndrore Europiane do të injektojë 80 miliardë euro në muaj përmes blerjes së letrave me vlerë në ekonominë e Eurozonës, nga 60 miliardë euro që është shifra aktuale. Madje, duke filluar nga muaji i ardhshëm, ajo do të blejë jo vetëm letra me vlerë të qeverive, por edhe bono të kompanive private. Me fjalë të tjera do të investojë edhe në tregjet private të aksioneve.

Prej më shumë se një viti Eurozona po përballet me deflacion, si rezultat i rënies së çmimit të karburanteve, por edhe konsumit të dobët. Në shkurt, inflacioni vjetor i ekonomisë së bllokut ishte minus 0.2 për qind, nga 2 për qind që është objektivi i Bankës Qëndrore për këtë tregues. Ekonomia e Eurozonës pritet të rritet me 1.4 për qind këtë vit, por – sipas Draghit, – rreziqet mbeten të larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA