Basha, në Prishtinë: Jo gazit në Kuvend. Nuk e kopjojmë modelin kosovar

10/03/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike shqiptare, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Kosovë ka qenë i pranishëm në mjediset e Kuvendit, kur deputetët e opozitës po hidhnin gaz lotsjellës gjatë seancës plenare.

Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, i pyetur nga gazetarët nëse një situatë e tillë mund të ndodhë edhe në Shqipëri, pasi opozita ka marrë shembullin e hedhjes së vezëve nga opozita kosovare, Basha tha se hedhja e gazit lotsjellës nuk ka vend në Parlament.

“Jo, nuk do ta marrim si model gazin dhe nuk mendoj se gazi është model për Parlamentin. Parlamenti ka dinamikën e vet dhe në Shqipëri, dinamika përcaktohet nga qëndrimet që ka Qeveria karshi shtetit ligjor, Kushtetutës, zbatimit të saj, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë edhe kërkesat e opozitës”, tha Lulzim Basha, kryetar i PD-së.

Duket se ky mesazh përkonte me shpjegimin, që vet kryetari i opozitës shqiptare i bëri vizitës së tij, pas takimin me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kur foli për dialog.

“Një nga qëllimet e vizitës sime është që të vazhdojmë një dialog kuptimplotë dhe thelbësor me të gjithë faktorët politikë në Kosovë. Sigurisht, ka aspekte që na bashkojnë si dy opozita, ka aspekte që na bashkojnë në interesin kombëtar. Kur theksoj interesin kombëtar kam parasysh dhe një përballje me sfidat e konsolidimit partiak, realitetit të ri të shtetit të Kosovës, ku faktorët kanë përgjegjësitë që u kanë atribuuar votuesit dhe do t’i shkarkojnë ato në përputhje me këto përgjegjësi. Qeveria ka detyrën e saj, opozita të sajën”, tha Basha.

Kjo temë është diskutuar edhe me partitë opozitare kosovare, teksa pas takimit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, Basha tha se nuk ndodhet në Kosovë për të dhënë leksione, por i rekomandoi opozitës që me veprimet e tyre të mos e pengojnë shtetndërtimin e Kosovës.

Vizitën e tij në Kosovë, kreu i PD-së e ka nisur me homazhe te varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, vizitën në familjen e tij, takime me Presidenten në detyrë Jahjaga, atë të zgjedhur Thaçi dhe kryeministrin Mustafa, për të përfunduar me homazhe në Prekaz, te memoriali kushtuar Adem Jasharit.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB