Duke lënë mënjanë, të paktën përkohësisht, kontraditat historike, Athina dhe Ankaraja janë zotuar për një bashkëpunim më të madh për të reduktuar fluksin e madh të refugjatëve, duke rinovuar marrëveshjen për rikthimin e emigrantëve të cilët nuk kanë të drejtë për të marrë azil politik.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun turk në Izmir, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se, dy vendet do të tregohen humane duke i ndihmuar dhe pritur refugjatët, por pa lejuar që ata të qëndrojnë përgjithmonë.
“Do të doja të theksoja se zbatimi i marrëveshjes së ripranimit dërgon një mesazh të qartë për emigrantët që vijnë nga vendet e treta, sidomos për ata që vijnë nga vendet e Afrikës perëndimore. Nuk ka as vullnet politik, as mundesi për të kaluar në Europë në kuadër të masave që janë marrë”, ka thënë Tsipras.
Të dy homologët kanë theksuar se Egjeu duhet të bëhet një det i paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit. Nga ana e tij, Davutoglu ka vlerësuar se, duke ndarë barrën e krizës së refugjatëve, Athina dhe Ankaraja do t’i çojnë marrëdhëniet në një shkallë më të.
“Po shohim kontrabandistë barbarë në krye të trafiqeve të qenieve njerëzore në detin Egje. Çdo ditë shohim kufoma fëmijësh dhe përballemi me një tragjedi të madhe njerëzore”, ka thënë Davutoglu.
Përveç çështjes së krizës së refugjatëve, në kuadrin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi, Tsipras dhe Davutoglu kanë nënshkruar një marrëveshje bilaterale për tregtinë, turizmin dhe transportin, ku veçohet lidhja me linjë detare e Selanikut dhe Izmirit, por edhe linja hekurudhore Selanik-Stamboll.
Top Channel