Korea e Veriut: Kemi koka bërthamore në miniaturë

09/03/2016 08:35

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un ka deklaruar se shkencëtarët e vendit të tij kanë zhvilluar koka bërthamore të vogla që mund të transportohen nga raketat balistike.

Media shtetërore publikoi pamje që tregonin Kim teksa qëndronte pranë asaj që duhet të ishte një armë në miniaturë në një impiant bërthamor.

Deklarata është e pamundur të verifikohet nga pamjet dhe ekspertët prej kohësh hedhin dyshime mbi këto njoftime të regjimit të Penianit.

“Kokat bërthamore janë standardizuar për të qenë në përputhje me raketat balistike, duke i zvogëluar ato. Ky mund të quhet një sukses bërthamor”, tha Kim.

Veriu ka intensifikuar retorikën e tij ushtarake në përgjigje të sanksioneve të OKB-së. Lëvizja e fundit e Këshillit të Sigurimit erdhi pasi vendi i izoluar aziatik kreu testin e katërt bërthamor dhe lëshoi një satelit në hapësirë, veprime këto që shkelën sanksionet ekzistuese.

Në ditët e fundit, Peniani ka kërcënuar se do të kryejë sulme bërthamore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, pasi këto të dyja nisën stërvitjet ushtarake vjetore më të mëdha.

Stërvitje të tilla, të njohura si “Shqiponja e Vogël” dhe “Zgjidhja Kyçe”, zakonisht ngjallin tensione.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA