Irani teston raketa balistike me mbishkrim kundër Izraelit

09/03/2016 00:00

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë testuar edhe dy raketa të tjera balistike gjatë kësaj të mërkure, për të cilat bëjnë të ditur se janë krijuar me synimin për të goditur Izraelin, duke sfiduar kështu kritikat e Amerikës për testime të ngjashme të zhvilluara më herët gjatë kësaj jave.

Pamjet e publikuara në televizionin shtetëror shfaqin dy raketat “Qadr” të lëshuara nga veriu i Iranit, e që goditën rreth 1400 km më larg. Testimet e së martës shkaktuan irritimin e SHBA-ve dhe kërcënimin prej tyre për vendosjen e sanksioneve të reja.

“Arsyeja përse i kemi krijuar këto raketa me një rreze veprimi prej 2.000 km, është pikërisht krijimi i mundësisë për të goditur armikun tonë, regjimin zionist, nga një distancë e sigurtë”, tha gjeneral-brigade Amir Ali Hajizadeh, i cituar nga agjencia e lajmeve “ISNA”. Pika më e afërt e Iranit me Izraelin është pikërisht 1.000 km larg Tel Avivit dhe Jerusalemit.

Administrata “Obama” është në dijeni të plotë mbi testimet e fundit, thonë zyrtarët amerikanë. “Ashtu sikurse edhe për raportimet e kaluara të testimit të raketave, do të studiojmë këto të fundit dhe do të ndërmarrim përgjigjen e duhur, si në Kombet e Bashkuara, ashtu edhe përgjigje të njëanshme sipas rastit”, tha një zyrtar i lartë i administratës, i cili nuk ka pranuar të identifikohet.

Agjencitë iraniane thanë se raketat e testuara këtë të mërkurë kishin të stampuar fjalët “Izraeli duhet të shuhet nga faqet e historisë”, e gjitha kjo në hebraisht, edhe pse këto shënime nuk mund të shihen në ndonjë prej fotografive.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Moshe Yaalon tha për “Radio Izraelin” se, testimet tregojnë se armiqësia e Iranit nuk ka ndryshuar, as pas implementimit të marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore të muajit janar, pavarësisht propozimeve të Presidentit Hassan Rouhani ndaj Perëndimit.

Top Channel