Maqedoni, flasin 4 dëshmitarë në gjyqin për “Kumanovën”

08/03/2016 00:00

Në seancën gjyqësore të ditës së martë, për çështjen e “Kumanovës”, kanë dëshmuar 4 dëshmitarët e parë të propozuar nga Prokuroria Publike, dy prej të cilëve banorë të “Lagjes së Trimave”, të cilët në momentin kur filluan luftimet ndodheshin në shtëpitë e tyre.

Ata dëshmuan para gjykatës se, nuk i kanë parë personat që kanë shtënë më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar. Dëshmitarët thanë se, një ditë para incidentit kanë larguar nga shtëpitë fëmijët dhe gratë, pasi kishin dëgjuar se policia do të ndërmerrte një aksion antidrogë në lagjen e tyre.

“Me rrëfimet e tyre, dëshmitarët treguan se në momentet më kritike të ngjarjeve të 9 dhe 10 majit nuk kanë parë askënd nga grupi i armatosur, dhe se nuk kanë pasur kontakte me ta”, tha Mefail Asllani, avokat.

Familjarët e të akuzuarve nuk kishin mundësi të ndiqnin as këtë seancë, pasi gjykata nuk kishte siguruar hapësirë të mjaftueshme për praninë e tyre.

“Seanca është publike dhe ajo duhet jetë e hapur, e jo të përzgjedhë ata që duan ta ndjekin”, tha Gani Krasniqi, prind i njërit prej të akuzuarve në çështjen e “Kumanovës”.

“Kosova nuk është shtet i fortë, sepse po të ishte i tillë, këta nuk do të kishin mundësi të luanin me ne. Edhe udhëheqësin nuk e kemi të mirë”, tha Muhamet Elshani, prind i njërit prej të akuzuarve.

Gjatë seancës ka dëshmuar edhe komandanti i policit të akuzuar, Arsim Bajrami, i cili dyshohet se i ka shërbyer me mjete logjistike pjesëtarëve të grupit të Kumanovës. Bajrami, sipas komandantit të tij, është arrestuar ditën e parë të luftimeve në stacionin policor në Kumanovë, ku ishte paraqitur në një mbledhje të thirrur me urdhër të eprorëve, ndonëse atë ditë ishte pushim me raport mjekësor.

Top Channel