Dritan Hardhij është efektivi i Policisë Bashkiake i cili në protestën e së dielës, mbeti i lënduar gjatë konfrontimit me protestuesit në Parkun e Liqenit.
I ndodhur në ambientet e Spitalit të Traumës, 36-vjeçari tregon momentet e përplasjes.
”Kam parë një djalë me xhup të zi përpara meje me një bishtë lopate të futur në mëngë të xhupit. Nuk arrita dot ta parandaloja se mora një goditje në mes të gjoksit dhe që nga ai moment nuk mbaj mend asgjë”, thotë Dritani.
Hardhij shpjegon dhe pasionin e tij për biçikletat dhe ambientin.
“Nga të gjitha malet e Shqipërisë na ka mbetur vetëm Jezerca pa zbritur. Si mund të mos jem unë ambientalist kur në grupin tonë jemi 5 mijë anëtar që kërkojmë ta kthejmë në edukatë dhe dashamirësi mjetin e biçikletës, duke eksploruar natyrën e mrekullueshme të vendit tonë”, thotë Hardhij.
I pyetur lidhur me protestën e Shoqërisë Civile, ai thekson se gjithkush ka të drejtë të protestojë, por brenda normave.
“Gjithëkush në botë ka të drejt të protestoi, por duke marrë parasysh për çfarë proteston, çfarë kërkon nga kjo protestë dhe se si proteston, në mënyrë paqësore”, thotë 36-vjeçari.
Top Channel