Fyerjet online, ndryshon ligji. Tani portalet ndëshkohen, por jo vetëm…

07/03/2016 20:00

Shtimi i portaleve në internet, shtimi i ankesave nga qytetarët dhe i proceseve gjyqësore, por edhe boshllëku ligjor ekzistues kanë bërë që më në fund qeveria të ndërhyjë.

Një portal online tanimë do të quhet si një biznes online, për të cilin masat e sigurisë do të jenë të ngjashme si të përdorësh një kartë krediti në internet, ku masat e sigurisë dhe kundër mashtrimit janë të larta.

Ndryshimet ligjore do ta bëjnë edhe më të vështirë dhe shumë të ndëshkueshme një fyerje apo koment online.

“Çdo person që ndihet i fyer për arsye raciste, ksenofobie, pornografia kundrejt fëmijëve të mund të raportohen nga personat në çdo portal”, deklaron ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Ligji detyron portalet të krijojnë një sektor të posaçëm në faqet e tyre, ku qytetarët të raportojnë këto ankesa personale për fyerje ndaj tyre. Portalet më pas do të jenë të detyruara t’i raportojnë këto në organet e posaçme ligjzbatuese.

“Brenda 48 orësh duhet të çaktivizojë përmbajtjen e deklaruar të tillë, pasi verifikon elementet që përcaktohen në ligj, deri sa autoriteti përkatës të shprehet”, nënvizon Harito.

Portalet tashmë nuk mund të jenë mall pa zot. Ashtu si çdo biznes që ka adresën e tij, edhe portalet detyrohen tashmë të kenë një të tille. Ndryshimet ligjore parashikojnë gjobitje të rënda për portalet, të cilat sot e tutje do ta kenë të ndaluar edhe me ligj që të jenë të papërgjegjshme për lajmet që botojnë.

“Ka masa administrative për portalet që nuk do të zbatojnë detyrimet që sjell ligji”, nënvizon Harito.

Masa administrative do të jenë natyrisht më të ashpra se gjobat. Portalet online këtej e tutje do të hyjnë në një fazë tjetër edhe në Shqipëri. Ato do të jenë portale, por jo han pa porta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA