7 marsi në Maqedoni, arsimi shqip ende me probleme

07/03/2016 18:30

Krahas aktiviteteve të ndryshme kushtuar Ditës së Mësuesit, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni ka kërkuar përmirësimin e kushteve të rënda për nxënësit shqiptarë në vend.

Nënçmimi i pozitës së mësuesit, politizimi i arsimit, mungesa e klasave, tekstet shkollore me përmbajte skandaloze dhe programet e vjetruara mësimore janë disa nga problemet që e vështirësojnë punën e arsimtarëve dhe ndikojnë në uljen e cilësisë së arsimit shqip.

“Aty ku janë shqiptarët, në komunat si ajo e Çairit në Shkup, apo Tetova, shkollat janë të ngarkuara me nxënës. Urgjentisht duhet të ulet pragu ligjor për nxënësit dhe paralelet të kenë më pak se 24 njësi. Nga ana tjetër, shumë shkolla në Shkup, me mësim në gjuhën maqedonase, kanë më pak se 20 nxënës”, deklaroi Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH.

Për të përmirësuar përmbajtjen e teksteve dhe për të shmangur fyerjet raciste ndaj shqiptarëvë ne të ardhmen, Lidhja e Arsimtarëve kërkon që tekstet e reja shkollore, krahas autorëve maqedonas të kenë edhe autorë shqiptarë.

“Shqiptarët duhet të kenë qasje në çdo tekst mësimor, në mënyrë që asnjë tekst të mos botohet vetëm nga autorët maqedonas, sepse çdo tekst i dedikohet edhe shqiptarëve”, nënvizoi Dardhishta.

Problemet e shumta në arsimin shqip vijojnë të mbeten pa zgjidhje, edhe në kohën kur Ministria e Arsimit në Maqedoni drejtohet nga Abdilaqim Ademi, ministër shqiptar nga radhët e BDI-së.

Top Channel