25-vjet nga maksi-eksodi; mediat italiane kujtojnë valën e refugjatëve

07/03/2016 22:05

Media të ndryshme italiane i kanë kushtuar vëmendje 25-vjetorit të eksodit të emigrantëve nga Shqipëria drejt Italisë, pas rënies së regjimit komunist.

Agjencia e lajmeve “ANSA” e ka bërë këtë duke treguar historinë e Pjerin Gjonit. “Ishte një mrekulli. Qytetarët e Brindizit na hapën dyert e shtëpive, na pritën duke na vënë në dispozicion gjithçka kishin për të na ushqyer. Na dhanë edhe rrobat e tyre”, tregon Gjoni.

Pjerin Gjoni, aktualisht pranë të 60-ave, prej vitit 2002 punon si mjek në urgjencën e qytetit të Brindizit. Ai ishte 34 vjeç kur mbërriti në Pulia. Në Shqipëri ishte diplomuar për mjekësi në fillim të viteve ’80.

“Kisha punuar për 11 vjet, por me të mbërritur në Itali diploma ime nuk kishte asnjë vlerë. Kështu, në vitin 1992 u regjistrova në universitet dhe në 1997 u diplomova”, tregon Gjoni për “ANSA”.

Për të, qytetarët e Brindizit janë “populli i tij”. “Nuk kanë patur mirënjohjen e duhur për bujarinë e tyre. Ajo që ndodhi 25 vjet më parë nuk ka të krahasuar, është e paharrueshme dhe ka lidhur përgjithmonë dy popujt”, vijon rrëfimin e tij Gjoni.

Mbërritja e tij më 7 marsin e 25 viteve më parë, me një anije modeste, ishte preludi i maksi-eksodit që preku edhe qytetin e Barit ku një ditë më vonë, më 8 gusht, mbërriti anija “Vlora”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA