Protestë antishqiptare në Shkup

05/03/2016 00:00

Qindra protestues maqedonas kanë protestuar para ministrisë së Brendshme në Shkup dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Oliver Spasovski, të cilin e akuzojnë se nuk ka ndërmarrë asgjë për të mbrojtur bazamentin e kryqit në komunën e Butelit, që u shkatërrua nga zyrtarët e partisë shqiptare BDI.

“Ne nuk kemi shkatërruar asnjë simbol të shqiptarëve dhe kjo nuk është dobësi e jona. Nuk do të lejojmë që vazhdimisht të provokohet durimi i shtetit dhe shumicës. Gjithçka ka kufi, ndaj dhe kërkojmë nga ministri Spasovski që të mos e provokojë durimin e popullsisë shumicë”, deklaron Todor Petrov, kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas.

Në protestën e thirrur nga organizata nacionaliste ‘Kongresit Botëror Maqedonas’ dhe të mbështetur nga zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, janë kënduar edhe këngë nacionaliste me përmbajtje antishqiptare.

“Na pret luftë, luftë për liri. Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar se emri ‘Maqedoni’ nuk do të zhduket. Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar se emri ‘Maqedoni’ nuk do të zhduket. Maqedonia e pastër, Maqedonia e pastër!”, ishin disa nga vargjet e këngëve.

Ndërkohë, duket komentuar protestën para ndërtesës së MPB-së, ministri i Spasovski tha se është e pakuptimtë të protestosh kundër policisë që ka kryer detyrën në mënyrë profesionale dhe ka parandaluar përshkallëzimin e situatës në Butel.

“Nuk ka arsye për të protestuar para ministrisë së Brendshme sepse në atë mënyrë nënçmohen oficerët e policisë që e kanë kryer me shumë profesionalizëm punën e tyre në këto momente të vështira për Maqedoninë”, është shprehur ai.

Një natë më parë, zyrtarët e lartë të BDI-së ndërprenë protestën dhe larguan tendat që kishin vendosur mbi themelet ku ishte parashikuar të vendoset kryqi i lartë 56 metra. Paraprakisht, mbrëmjen e së premtes, policia kishte parandaluar dhjetëra të rinj maqedonas që tentuan të afrohen tek tendat e shqiptarëve për t’u përleshur me ta.

Top Channel