Mbi krizën e shtypit të shkruar

04/03/2016 00:00

Nga Bajram PEÇI – Gazetat pothuajse në të gjithë botën ndodhen në momentin e tyre më të  vështirë. Kriza ku kanë hyrë është më e rënda në historinë e gjatë. Faktorët që zhvilluan shtypin e shkruar, të punuarit me lajmin dhe informimin me qëllim fitimin, ose siç quhet sot, të bërit biznes, nuk ndodhen më mes nesh.

Të tilla i pati fillesat në Angli, në Gjermani apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri kur në horizont u shfaqën dhe u zbuluan aftësitë e këtij tregu për t’i dhënë e diktuar lexuesit opinion-formimin, organizimin, manipulimin dhe përpunimin, shantazhin.

Botimi i gazetës si biznes, me qëllimin e vetëm fitimin, njeh si përfaqësuesin e saj më të idealizuar, William Randolph Hearst. Ky djalosh 17-vjeçar, në endje për kërkimin e një pune, në vitin 1887 mori menaxhimin e një gazete, “San Francisco Examiner”, që babai i tij në vitin 1880 e pati si shlyerje për një borxh kumari. Menaxhimi i saj i shërbeu për ngritjen e një zinxhiri sipërmarrjesh botimi, që e shndërroi në perandori. Hearst, pas një konkurrence të gjatë, blerjeje, zotërim tregu, fitoi cilësimin “Mbret i të përditshmeve”. Në gazetat e tij afroi dhe botuan artikuj shkrimtarët më të talentuar të kohës, duke përfshirë Mark Twain e Jack London. Hearst u quajt gjithashtu “si punëdhënësi më tërheqës”. Ai ishte bujar, paguante më shumë se konkurrentët e tij, ishte i sjellshëm, i thjeshtë dhe tolerues. Gazetat e tij i nxiste për tituj të guximshëm e lajme agresive, përdorim të bollshëm të karikaturave dhe ilustrimeve.

Kur gazetat filluan të përdoreshin edhe si mjet politik, si një ndërthurje e interesave ekonomike të pronarëve me politikën, lindën sisteme të reja menaxhimi dhe perandori të tjera të shtypit të shkruar, krejt të ndryshme nga ajo e Hearst. Pa droje mund të cilësosh si përfaqësuesin më tipik të kësaj kohe, Keith Rupert Murdoch, një australian që u bë pronari i mediave amerikane e britanike. Edhe Murdoch trashëgoi nga babai i tij, në vitin 1952, dhe u bë drejtor i gazetës australiane, “News Limited”, nga nisi rrugën për ngritjen e kompanisë mediatike gjigante, më i madhi konglomerat në botë i mediave. Ky njeri, që rrënoi e zhduku nga gazetat praninë e sindikatave të punonjësve të shtypit, ka vendosur në fronin e Presidentit dhe Kryeministrit kë ka dashur dhe këdo që ka mbështetur, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Në lulëzimin e kësaj ndërthurjeje biznes-politikë, shtypi dhe media në përgjithësi, fituan emërtimin “Pushteti i katërt”. Lindi shtypi politik. “Më jep një gazetë të të jap një parti”, shkruante Lenini në fillim të shekullit XX. Ishte pikërisht kjo parti që me organin e saj politiko-ideologjik, “Pravda” kapërceu tirazhet e çdo të përditshmeje tjetër. 23 milionë kopje në ditë që ajo arriti, nuk besohet më se do kalohet si shifër nga ndonjë titull tjetër.

I tillë ishte dhe shtypi në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri, ku partia sunduese, ashtu si dhe në çdo vend tjetër njëpartiak, e përdorte shtypin e shkruar për qëndrimin në pushtet të tyre e të ideologjisë që i kishte pjellë. Me fillimin e pluralizmit në Shqipëri, gazetat që nuk u përkisnin partive e kanë zanafillën në fund të vitit 1992 e fillim të vitit 1993. Po lindte shtypi i pavarur, por askush nuk e dinte se çfarë ishte në të vërtetë shtypi i lirë. “Gazeta Shqiptare” ishte e para që u përpoq të kultivonte te gazetarët e rinj disa tipare mbi kulturën e re demokratike në shtyp, duke përdorur lajmin si strukturë bazë, por në të vërtetë, të përditshmet e shumta të mbira më pas parapëlqyen që t’u jepnin përparësi komenteve dhe opinioneve. Shqipëria e hapur dhe pluralizmi shpërtheu në atë kohë dëshirën për të lexuar. Ka qenë e vetmja periudhë, që vazhdoi deri në vitin 1998, kur tirazhet e shitura mbulonin shpenzimet dhe arrinin të siguronin fitim përmes shitjeve. Lindën si biznese “Gazeta Shqiptare” e “Koha Jonë” dhe qenë, pak a shumë, të suksesshme, derisa, nën trysninë e botuesve të tyre u anuan dukshëm nga politika. Pas tyre, veçanërisht, pas vitit 1997, kohë kur pasuri të tëra publike, përfshirë edhe banka, u përvetësuan, lindën dhe gazeta të shumta të përditshme informative, duke krijuar inflacion titujsh. U pasuan nga pronarë gazetash pa identitet, pa asnjë të dhënë mbi burimet e financimit, sipërmarrës biznesi, dikush si ndërtues rrugësh, dikush me birrën, dikush me banka private, por shumica me firma që ndërtonin pallate.

Nga viti 1992, të qenët pjesë e shtypit të shkruar, më ka shtrënguar të njoh e të punoj me shumë botues e kryeredaktorë, ku krahas djemve e vajzave me ideale, që e donin profesionin e që punonin me përkushtim, m’u desh të njoh dhe plot aventurierë, që e kishin parë shtypin jo si biznes, por si mburojë e strehë për veten dhe veprimtarinë e tyre. Kishte të tilla që në Tiranë nuk shisnin më shumë se 100 copë në ditë dhe ende vazhdonin ta mbanin gazetën e tyre në treg. Natyrisht që dilnin me humbje dhe legjislacioni shqiptar i financave i detyronte të mbylleshin, por nuk ndodhi kurrë që organet financiare të kenë ndërmarrë ndonjëherë ndonjë hetim në media për t’i detyruar të shpallnin falimentimin. Pati botues që u ulën në karriget e Parlamentit, me paga të palikuiduara prej një viti për punonjësit e gazetave që ua kishin kaluar “në pronësi” grave. E përdorën fletushkën e tyre si armë. Viktimat e shtypit kanë qenë jo të pakta.

Të qenët anëtar i panelit IREX (Indeksi i Qëndrueshmërisë së Mjeteve të Komunikimit) prej disa vitesh, më kanë dhënë hapësirën e duhur, si për të votuar, ashtu dhe për të parë me sy objektiv të vërtetën që e rrethon shtypin e shkruar në Shqipëri. Kriza e gazetave e ka çuar nivelin e përdorimit në vendet e zhvilluara në rreth 180 gazeta për 1000 banorë. Këtij treguesi, Shqipëria i është afruar paksa gjatë viteve 1992-1996. Aktualisht, tipografia jonë e rrotativëve të amortizuar e me teknologji të prapambetur shtyp më pak se 20 gazeta në ditë për 1000 banorë, por te lexuesi shkojnë 14 gazeta për 1000 banorë. Me këtë sasi që konvertohet në rreth 60 mijë gazeta të prodhuara e rreth 40-45 mijë të shitura në ditë, e që përfshin 18 tituj të të përditshmeve, nuk ka gjasa të sigurohen bilance fitimprurëse. Lexuesi im i nderuar e ka edhe më të qartë zhytjen në humbje, nëse njeh shpenzimin e prodhimit: përbën mbi 60% të çmimit të shitjes.

Nga koha e Hearst, periudhë kur fitimi dhe e ardhura mbështetej te shitja, në epokën Murdock struktura e të ardhurës ndryshoi, duke anuar dukshëm në anën e të ardhurave nga reklama. Dhe kështu funksionon ende. Reklamimi në hapësirat e faqeve të gazetës jep rreth 70% të të ardhurave totale, ku rreth 80% të saj e zënë reklamat për automjetet dhe pajisjet shtëpiake. Në Shqipëri nuk ndodh të jetë kështu, sepse nuk ka treg reklame të qëndrueshëm. Mbi të gjitha këtu nuk ka mallra për t’u bërë reklamë, sepse nuk ka prodhim mallrash. Në këto rrethana, marketingu mbështetet kryesisht te shërbimet, ku dallojnë posaçërisht kompanitë celulare me lëmoshat që ndonjë prej tyre u hedh herë pas here, të motivuara që përmes kockës së hedhur t’u heqin të drejtën për të bërë analiza tregu dhe përcaktuar pozita në treg. Dhe ia kanë mbërritur!

Si dhe qysh ndodhi që me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit lajmi (për të cilin janë të ngritura struktura të ngarkuara me shpenzime) të jepej falas, këtë nuk e gjeti dot as “New York Times”, e cila do ishte mbyllur nëse multimiliarderi Carlos Slim nuk do t’i jepte (për blerje kuotash) 101 milionë dollarë. Te ne, marrëzitë që kemi ndërmarrë për ta çuar në falimentim këtë pasuri kombëtare, shtypin e shkruar, kanë filluar kohë e kohë më parë, kur një botues, që rropatej në faqet e organit të tij, mes të tjerash, t’u mësonte artin e të bërit milioner, e nxirrte organin me një çmim qesharak.

Ka dhe një arsye tjetër që i çoi gazetat shqiptare në agoni. Ajo është politike. E shfaqi me arrogancë dëshirën për kontrollin e shtypit Sali Berisha, kur, me shpalljen e Karlo Bolinos “non grata”, u detyrua të shfaqte hapur synimin. Edhe të tjerë, që mbajtën frerët e pushtetit në vendin tonë, e dëshiruan kontrollin e shtypit, nuk e deshën kontrollin prej tyre të qeverisjes dhe ia mbërritën duke i mbajtur gazetat financiarisht sa më të dobëta dhe të varura nga reklamat e subvencionet publike të saj. Në një farë mënyre, ata që lidhen për ditë me shtypin e publikojnë reklamat qeveritare, e kuptojnë se qeveria ushtron direkt e indirekt kontroll ndaj tyre.

Në vendin tonë, një gazetë e përditshme serioze, sado e mirë, nuk mund të shesë kurrë shumë, sepse te lexuesi mediokër zotëron jo formati elitar, por tërheqja nga tabloidi. Gazeta me natyrë të tillë, në shtetet ku shtypi i shkruar shihet historikisht si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare, i kanë mbështetur me subvencione. Franca, p.sh., u dha vjet 300 milionë euro subvencione të përditshmeve dhe shpëtoi nga falimentimi jo vetëm “Le Monde”, por dhe gazetën e komunistëve, “L’Humanite”. I përmenda këto sa për kulturë, se nuk ka gjasa të ndodhë te ne, vendi ku janë përdorur tërë mjetet për shkatërrimin e shtypit të lirë.

Jeta e gazetave në Shqipëri nuk varet nga konkurrenca, nuk varet nga lexueshmëria, nuk varet nga ky marketing i mjerë reklamash. Atëherë, në ç’rrethana gazetat do të mund të ekzistojnë te ne? Në botën demokratike po i gjejnë zgjidhjet ngase e dinë dhe e njohin ndikimin dhe domosdoshmërinë e kësaj kulture në mjedisin tonë. Prej shekujsh, krahas librit ka qenë dhe shtypi që ka rritur njeriun dhe kultura e letrave, e librit, nuk mund të jetë e plotë pa bijën e saj të denjë, shtypin. Të jesh në shoqërinë e gazetave është njësoj sikur të ndodhesh gjithnjë në shoqëri të njerëzve. Do jetë kujdesi juaj për të rënë në shoqëri të mirë apo të keqe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA