Debati për kryqin në Shkup, BDI: Protestë; PDSH: Është lojë

04/03/2016 00:00

Zyrtarë të lartë të BDI-së kanë ngritur tenda në afërsi të godinës së Komunës së Butelit, në Shkup, dhe po protestojnë kundër vendimit të Këshillit Komunal për ngritjen e një kryqi 56 metra të lartë, në një udhëkryq pranë komunës.

Gjatë vendosjes së çadrave, ku dhe kanë kaluar natën, mbështetësit e partisë shqiptare në pushtet kanë shkatërruar gurëthemelin e ndërtuar si bazament për kryqin, në komunën me popullsi të përzierë.

“Këtu do të qëndrojmë deri në anulimin e vendimit të Komunës së Butelit. As kryqi dhe as minarja nuk e kanë vendin në rrugë. Janë për të provokuar ndjenjat e njëri-tjetrit”, tha Izet Mexhiti, nënkrytar i BDI-së.

Komuna e Butelit drejtohet nga Petre Latinovski, i cili i përket partisë maqedonase VMRO-DPMNE, që qeveris vendin me BDI-në. Por, nisma për ngritjen e kryqit është ndërmarrë formalisht nga organizata nacionaliste “Kongresi Botëror Maqedonas”.

Kryetari i kësaj organizate, Todor Petrov, i afërt me partinë e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, në përurimin e punimeve tha se kryqi nuk ndërtohet kundër shqiptarëve.

“Ky kryq i shenjtë, para të cilit kryqëzohen edhe maqedonas, por edhe shqiptarë të krishterë, ka qenë dëshmitar se Maqedonia asnjëherë nuk do të jetë një vend, ku do të sundojë sheriati”, tha Todor Petrov, kryetar i KBM-së.

Opozita vlerëson se, ndërtimi i kryqit është një lojë e koordinuar mes dy partive në pushtet, për të shtuar tensionet ndëretnike në prag të zgjedhjeve dhe për të fituar sa më shumë elektorat, duke aktruar se VMRO-ja po mbron interesat e maqedonasve, kurse BDI-ja të shqiptarëve.

“Ftoj qytetarët të mos bien prè e këtyre manipulimeve, qoftë për kryqin, qoftë për xhaminë, apo flamurin. Partia e shqiptarëve në pushtet duhet të bëjë betejë institucionale, që ato çështje të zgjidhen brenda institucioneve”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Punimet për ngritjen e kryqit filluan disa ditë pas shpalosjes së monumentit me shqiponjën dykrenare, në rrethrrotullimin që ndan Komunën e Butelit me atë të Çairit, me shumicë shqiptare.

Top Channel