
Në shtëpinë e terroristit më të famshëm të botës Osama bin Laden, aty ku ai u vra nga forcat amerikane, tani autoritetet e SHBA-ve kanë gjetur disa dokumente që sipas tyre dëshmojnë atë që i druheshin aq shumë: sulme të tjera terroriste në vend.
Nëse Amerika nuk do ta kishte ekzekutuar dot kreun e Al Kaedës në vitin 2011, sot vendi do të ishte kërcënuar nga të tjera sulme të telekomanduara, por jo vetëm.
Terroristët planifikonin edhe fushata të gjëra mediatike. Në shtëpinë e lokalizuar në pjesën veriore të qytetit pakistanez Abbottabad, lideri ekstremist për rreth pesë vjet jetonte me dy gratë, disa nga fëmijët e tij bashkë me nipërit.
Dokumentet e gjetura më parë, pikërisht në këtë strehë, dëshmonin detaje për jetën e tij, fobitë, apo mendimet e terroristit. E ndërsa këto dokumente të fundit tregojnë se Bin Laden dhe ndihmësit e tij planifikonin një fushatë të gjerë mediatike për të shënuar 10 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit te vitit 2001.
“Ne kemi nevojë të zgjerojmë dhe zhvillojmë operacionet tona në Amerikë dhe mos ta kursejmë hedhjen në erë te avionëve”, shkruan Bin Laden në një letër drejtuar Asir el-Wuhayshi, kreu i Al Kaedës në Gadishullin Arabik.
“Reuters” dhe rrjeti televiziv amerikan “ABC” ka ekskluzivitetin e 113 dokumenteve, të cilat janë përkthyer nga arabishtja dhe janë deklasifikuar nga agjencitë amerikane të zbulimit.
Top Channel