Blushi: Ndryshimet statutore, pa transparencë. Statut për një individ

02/03/2016 00:00

Në një dalje për mediat, pas dorëzimit të propozimeve të tij për hartimin e statutit të ri të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi, i cili ka dalë hapur kundër kryeministrit Edi Rama për të pasur zgjedhje për kryetarin e partisë, ka thënë se, pavarësisht se është anëtar i Kryesisë së PS-së, ende nuk është në dijeni të propozimeve dhe ndryshimeve të reja në statut të hartuara nga grupi i punës.

“Unë nuk di çfarë kundërshtoj nga propozimi i grupit të punës të PS, sepse nuk i kam parë ato. Jam anëtar i Kryesisë dhe ende nuk i dimë propozimet për statutin e ri, por pavarësisht kësaj, e kam thënë që do të kem propozimet e mia. Kjo është arsyeja pse i kam bërë ato sot, propozime që parashikojnë një parti moderne dhe jo centraliste, që e kishim, e kemi dhe me të gjitha gjasat do ta kemi edhe pas këtyre zgjedhjeve. Një parti që nuk ka transparencë për shpenzimet që bëhen, si dhe që po u heq të drejtën anëtarëve të zgjedhin drejtuesin”, tha Ben Blushi.

Në lidhje me propozimet e tij, deputeti i PS-së ka bërë të ditur se ka propozuar primaret, një metodë zgjedhjeje për të gjithë drejtuesit e tjerë partiakë, ndërkohë që përsa i përket kryetarit, ai i qëndron parimit aktual: kryetar me mandat 4-vjeçar, që zgjidhet me “një anëtar, një votë”.

“Kam propozuar primaret, që PS të përcaktojë njerëzit që kandidon jo në mënyrë autoritare, një metodë që po zbatohet në shumë parti të tjera europiane. Për kryetarin e partisë i mbetem parimit ekzistues në statut, sipas të cilit mandati është 4-vjeçar dhe zgjidhet me ‘një anëtar, një votë’. Ju e dini që jemi detyruar, në kushtet e një shkelje të hapur të statutit, duke qenë se jemi një numër anëtarësh kundërshtues të kësaj, që kemi apeluar për të dëgjuar interpretimin e Komisionit të Garancive Statutore. Shpresoj që të ketë një vendim përpara Kongresit, sepse pas tij nuk ka më vlerë”, deklaroi më tej Blushi.

Ndërkohë, për ndryshimet statutore të hartuara deri më tani e që priten të votohen në Kongres, ai u shpreh se nuk ka transparencë, pasi nuk kanë kaluar në Kryesi. Statutin e ri, ai e quan statut për një individ të vetëm, e jo për një parti.

“Ndryshimet statutore do të duhej të kishin kaluar në Kryesi dhe duheshin konsultuar, për të pasur edhe debat. Pretendoj që duhet të kalojnë edhe në Asamblenë e PS-së. Por po bëhet një statut për një njeri dhe jo për një parti, dhe ai është Edi Rama. Ata që po e bëjnë këtë statut janë në rolin e rrobaqepësit, që po i qepin një kostum Edi Ramës. Ky është problemi sot në Shqipëri, sepse statuti po bëhet si ligjet, jo për të gjithë, por për një grusht njerëzish. Ai statut i heq të drejtën e zgjedhjes të gjithë të tjerëve. Unë nuk kam armiq në parti, por kam shumë që nuk mendojnë si unë. Nuk kam ftuar asnjë njeri në duel, por kam pikëpamjet e mia, sesi kjo parti të bëhet një parti kolegjiale, që të mos jetë e një individi të vetëm”, tha ndër të tjera Blushi.

Top Channel