Uli Hoeness në liri me kusht

29/02/2016 14:10

Ish-Presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hoeness u lirua me kusht pasi kaloi 21 muaj në burg, lajm ky që u konfirmua për mediat nga drejtues të Ministrisë bavareze të Drejtësisë.

Uli Hoeness u dënua në vitin 2014 me 3 vjet burg për evazion fiskal me 28.5 milionë euro, por pasi kreu gjysmën e këtij dënimi, 64-vjeçari la qelinë për të fituar lirinë me kusht.

Në 18 janar gjykata deklaroi se pranoi kërkesën e Hoenessit për lirimin e tij, por bëri të ditur se ai duhet të zbatojë disa kushte në 3 vitet e ardhshme. Aspektet që ndikuan në këtë vendim ishin personaliteti i këtij të fundit, e kaluara e tij, rrethanat e kryerjes së evazionit fiskal dhe sjellja e Hoeness në burg gjatë kohës së kryerjes së dënimit.

Që nga fillimi i vitit 2015 Hoeness duhej të kalonte vetëm netët në qeli, ndërsa gjatë ditës ai punonte në ambientet e Bajernit duke iu dedikuar kryesisht sektorit të ekipeve zinxhirë. Gjykata konstatoi se gjatë kësaj kohe nuk u shënua asnjë incident, duke shtuar se dëmi financiar i shkaktuar nga evazioni i Hoeness u shlye me të paktën 43 milionë euro.

Mësohet se në 13 mars Uli Hoeness do të bëjë daljen e tij të parë në media pas lirimit, ndërkohë që ka shumë persona që presin rikthimin e tij në postin e Presidentit të Bajernit, vendim të cilin ai ka shumë të ngjarë që ta marrë në muajin qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA