SHBA, “super e marta” në prag; sondazhet: Trump e Clinton në krye

29/02/2016 00:00

“Super e marta” është në prag për pretendentët për kandidaturën presidenciale në SHBA dhe sondazhet më të fundit sugjerojnë se, emri që do të triumfojë do të jetë ai i Donald Trump.

Të martën, 11 shtete amerikane votojnë njëkohësisht për të preferuarit e tyre republikanë apo demokratë, dhe fitorja në këtë ditë konsiderohet si një hap vendimtar dhe përcaktues për kandidaturën presidenciale.

Analistë dhe ekspertë të shumtë politikë në SHBA, të mbështetur edhe nga shifrat e sondazheve thonë se, Donald Trump do të përhapë panik mes udhëheqësisë republikane me suksesin që pritet të arrijë.

Vet Trump, gjatë një mitingu me mbështetësit e tij në Tenesi tha se, të gjithë duhet të shkojnë të votojnë, sepse e marta do të jetë një ditë historike.

Ndërkohë, rivalët e tij Ted Cruz dhe Marco Rubio kanë pritshmëri shumë më të ulëta dhe u mjaftojnë që të fitojnë një shtet, cilido qoftë. Madje për Cruz situata është vendimtare, pasi nuk e ka të sigurtë fitoren as në shtetin e tij, Teksas.

Në krahun tjetër, në atë demokrat, pritet fitorja e Hillary Clinton ndaj Bernie Sanders, megjithëse sondazhet nuk e japin me aq siguri sa atë të Trump.

Sanders është shfaqur si një kundërshtar i fortë për Hillary Clinton dhe kjo kërkon që të shfrytëzojë “super të martën” për të krijuar distancën e duhur me të dhe për ta lënë jashtë gare.

Të martën, pretendentët republikanë do të garojnë për vota në Alaska, Alabama, Arkansas, Xhorxhia, Masaçusets, Minesota, Oklahoma, Tenesi, Teksas, Vermont dhe Virxhinia.

Demokratët gjithashtu garojnë në këto shtete me përjashtim të Alaskës, ndërsa për ta votohet edhe në Kolorado dhe në Samoan amerikane.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta