Europa nuk mund ta lejojë zhytjen e Greqisë në kaos, paralajmëroi kancelarja gjermane Angela Merkel, në mesin e ndasive të thella të shfaqura mes anëtarëve të bllokut për shkak të krizës së emigrantëve që kërcënon sot vetë ekzistencën e tij.

Shtetet e BE-së nuk luftuan aq fort për ta mbajtur Athinën në zonën e euros, vetëm që pastaj ta linin në baltë – ishte mesazhi i fortë dhe i qartë i gruas së hekurt të Europës.

Merkel mbrojti gjithashtu vendimin e saj për t’i hapur emigrantëve kufijtë e Gjermanisë, edhe pse një qasje e tillë i ka kushtuar shumë duke i sjellë një rënie të ndjeshme të popullaritetit.

“Vërtet besoni se të gjitha shtetet e euros luftuan aq shumë vitin që shkoi për ta mbajtur Greqinë në Eurozonë, dhe prej të gjithë atyre ne ishim më të rreptët në këtë drejtim, vetëm që një vit më vonë të lejojmë në njëfarë mënyre përfshirjen e saj nga kaosi? Ne nuk mund t’i kthejmë krahët këtij vendi”, deklaroi Merkel.

Mbyllja e kufijve nga Austria dhe disa vende ballkanike e ka vendosur Greqinë përballë një tensioni të jashtëzakonshëm, pasi tashmë i duhet të përballet me mijëra emigrantë dhe refugjatë të bllokuar atje, të cilët nuk kthehen dot mbrapsht.

Gjatë intervistës në televizionin gjerman ARD, Merkel deklaroi se nuk ka një “plan B” për emigrantët, por është e bindur se me këmbënguljen e vetë për rishpërndarjen e refugjatëve brenda kontinentit të vjetër është në rrugën e duhur.

Kancelarja pranoi gjithashtu se mosmarrëveshjet që kanë lindur mes anëtarëve të bllokut për këtë çështje e shqetësojnë shumë, megjithatë një dështim i Europës, shtoi ajo, duhet shmangur me çdo kusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA