Janar, eksportet bien me 7.8%; shkak, çmimi i naftës dhe mineraleve

29/02/2016 15:45

Kriza e naftës dhe mineraleve vazhdon të frenojë eksportet shqiptare. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në janar eksportet totale zbritën në 16.3 miliardë lekë nga 17.7 miliardë që ishin një vit më parë.

Rënia prej 7.8 për qind i dedikohet tërësisht dy zërave, grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji, si dhe materialeve të ndërtimit.

Të ndikuara veçanërisht nga nafta, eksportet e grupit të energjisë ranë me gati 1.6 miliardë lekë krahasuar me vjet, ndërsa ato të materialeve të ndërtimit u rrudhën me 1.1 miliardë lekë.

Zhvillimi pozitiv në krahun e eksporteve është rritja e qëndrueshme e artikujve bujqësorë, por edhe industria e fasonit. Sipas INSTAT, eksportet e grupit ushqimr pije dhe duhan u rritën me gati 30 për qind, ndërsa tekstilet dhe këpucët u zgjeruan me 1.1 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Edhe në kahun tjetër,  atë të importeve flukset tregtare janë rrudhur, ndonëse me një rënie më të lehtë. Sipas INSTAT, në janar importet ishin 1.4 për qind më të ulëta se vjet. Edhe këtu rënien më të madhe e kanë patur materialet e ndërtimit, por edhe produktet kimike.

Megjithatë, pavarësisht rënies totale të importeve, zëri i makinerive dhe pajisjeve vazhdon të rritet me ritme dyshifrore.

Importi i makinerive dhe pajisjeve është një tregues i lidhur drejtëprdrejtë me investimet e reja në ekonomi. Zgjerimi i tyre sinjalizon rimëkëmbjen e investimeve në ekonomi, të nisur që vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA