Të premten luhet derbi i Shqipërisë, supersfida e Kategorisë Superore mes Partizanit dhe Tiranës, ku të kuqtë janë skuadra pritëse.
Klubi i Tiranës ka akuzuar organizatorët e ndeshjes, që në këtë rast është Klubi Partizani, për abuzim të qëllimshëm me çmimin e biletave në dëm të tifozëve të Tiranës.
Në një deklaratë të shpërndarë për publikun, bardheblutë thonë:
“KF Tirana deshiron te denoncoje publikisht, abuzimin qe klubi organizator ka ideuar ne dem te tifozeve bardheblu. Klubi i Partizanit, ka reklamuar cmimet e biletave per tribunat D1, D2, D3, C dhe E, duke percaktuar vleren e 600 lekeve (te reja) per nje bilete ne keto sektor. Abuzive ndarja e bere. Sektore te ndryshem nuk mund te jene te barazvlefshem. KF Tirana denoncon ashper levizjen abuzive qe klubi organizator ka bere duke mos u mjaftuar me barazvlefshmerine e te gjithe sektoreve ne stadium por duke shkuar edhe me tej”.
Tirana thotë se Partizani do të shesë me 400 lekë biletat për tifozerinë e vet, pavarësisht se në printim ato do të mbajnë vlerën e 600 lekëve duke argumentuar se klubi do të rimbursojë për organizatorët diferencën prej 200 lekësh.
“Pra Partizani do t’i transferojë në llogari bankare vetes ‘subvencionin’ për biletat e kuqe. KF Tirana denoncon këtë sjellje provokative, aspak serioze për një klub futbolli. Diferencime të tilla diskriminuese, nxisin një klimë aspak pozitive për një ndeshje që nuk do të luhet të premten për herë të fundit”, mbyll reagimin e vet Klubi i Tiranës.
Top Channel