“Bunkeri” Juventus

29/02/2016 13:40

Juventusi konfirmohet si një prej skuadrave me mbrojtjen më të mirë në Evropë. “Zonja e Vjetër” deri tani ka pësuar vetëm 15 gola në Serinë A, duke e vendosur veten në këtë pikë në vendin e tretë në Kontinentin e Vjetër.

Në këtë aspekt, të vetmet skuadra që shfaqen më mirë se kampionët e Italisë janë Bajerni i Mynihut dhe Atletiko Madridi, me vetëm 11 gola të pësuar në kampionatet e tyre respektive, edhe pse kanë më pak ndeshje në krahasim me 27 sfidat e zhvilluara nga të besuarit e Allegrit.

Në të njëjtin nivel me Juventusin përsa i përket mbrojtjes është Paris Saint Germain, ndërsa në Premier League skuadra me mbrojtjen më të mirë është Tottenham Hotspurs, me 21 gola të pësuar deri tani.
 
Skuadra torineze nuk ka pësuar gol për 8 ndeshje radhazi, duke vendosur në shënjestrën e saj rekordin e sezonit 1972/73 që e mban po vetë, kur regjistroi 9 ndeshje pa pësuar gol.

Një tjetër statistikë që duhet theksuar për Juventusin është ajo e Gianluiggi Buffon. Portieri legjendar italian e ka lënë të paprekur portën e tij për 746 minuta dhe tani synon të thyejë rekordin e Sebastiano Rossit të vitit 1994, me 929 minuta pa pësuar gol.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA